Njoftim për bizneset e reja – Mundësi për tatuarje në baza reale

Publikuar më September 20, 2012 16:07

Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim që të ndihmojë tatimpaguesit e rinj lidhur me kërkesat e tyre për t’u tatuar në bazë të të ardhurave reale, tani e tutje do të ju mundësoj këtyre bizneseve aplikimin për tatuarjen në bazë të të ardhurave reale, edhe për vitin e parë që regjistrohen dhe atë pas datës 1 Mars.

Neni 33 i Ligjit Nr. 03/L – 161, për Tatimin në të Ardhurat Personale, përcakton rregullat e tatuarjes në baza reale si në vijim:

3. Tatimpaguesi që zgjedhë t’i përgatisë librat dhe regjistrimet e identifikuara në paragrafin 4 të këtij neni për cilëndo periudhë tatimore kërkohet t’i përgatisë librat dhe regjistrimet e tilla për periudhën tatimore në të cilën zgjedhja (opsioni) është bërë, plus së paku tri (3) periudha tatimore pasuese, sikurse është paraparë në aktin nënligjor të lëshuar nga ministri.

3.1 Një tatimpagues që dëshiron të zgjedhë opsionin e përshkruar në paragrafin tre (3) të këtij neni do të dorëzojë një pasqyrë në Administratën Tatimore deri më 1 Mars të periudhës tatimore në të cilin tatimpaguesi dëshiron të bëjë zgjedhjen dhe se zgjedhja është bërë. Pasqyra që dorëzohet do të jetë në formatin e përshkruar nga Administrata Tatimore. Kur zgjedhja e tillë të jetë bërë, tatimpaguesi duhet të vazhdojë të përgatisë pasqyrat financiare dhe të rregullojë të ardhurat dhe shpenzimet e regjistruara në pasqyrat e tilla për periudhën tatimore në të cilën zgjedhja është bërë dhe, së paku, për tri periudha tatimore pasuese sikurse është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni.

3.2 Një tatimpagues me të drejtë për të zgjedhur mbajtjen e librave dhe regjistrimeve sikurse kërkohet në paragrafin 4 të këtij neni, duhet të dorëzojë një kërkesë për vendim shpjegues në ATK, në përputhje me dispozitat e aplikueshme të ligjit mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat, dhe të marrë miratimin nga ATK përpara mbajtjes së librave dhe regjistrimeve në përputhje me Nenin 34 të ligjit.

Miratimi duhet të merret deri më 1 Mars të vitit për të cilin tatimpaguesi kërkon vendim shpjegues.

Të njëjtën çështje e përcakton edhe neni 36 i Ligjit Nr. 03/L – 162, për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Bizneset ekzistuese, në vazhdimësi do të mund të shfrytëzojnë mundësinë që të aplikojnë për tatuarje në baza reale duke dorëzuar një pasqyrë në Administratën Tatimore deri me datën 1 Mars të vitit vijues.

Ndërsa, bizneset e reja të cilat regjistrohen pas datës 1 Mars, mund të tatohen në baza reale, nëse aplikojnë për tatuarje në baza reale brenda periudhave, si në vijim:

1. Biznesi i ri, i regjistruar gjatë periudhës TM / 1, mund të tatohet në baza reale, nëse aplikon për të zgjedhur tatuarjen në baza reale, deri me 1 Prill, pra para se të fillojë afati i deklarimit për periudhën tatimore TM1.

2. Biznesi i ri, i regjistruar gjatë periudhës TM / 2, mund të tatohet në baza reale, nëse aplikon për të zgjedhur tatuarjen në baza reale, deri me 1 Korrik, pra para se të fillojë afati i deklarimit për periudhën tatimore TM2.

3. Biznesi i ri, i regjistruar gjatë periudhës TM / 3, mund të tatohet në baza reale, nëse aplikon për të zgjedhur tatuarjen në baza reale, deri me 1 Tetor, pra para se të fillojë afati i deklarimit për periudhën tatimore TM3.

4. Biznesi i ri, i regjistruar gjatë periudhës TM / 4, mund të tatohet në baza reale, nëse aplikon për të zgjedhur tatuarjen në baza reale, deri me 1 Janar, pra para se të fillojë afati i deklarimit për periudhën tatimore TM4.

Pra, bizneset e reja të cilat aplikojnë për tatuarje në baza reale brenda periudhave të lartpërmendura, do të kenë të drejtë që të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke iu përmbajtur rregullave të parapara me legjislacionin tatimor, njësoj sikurse bizneset ekzistuese.

Gjithashtu, bizneset e reja të cilat kanë përzgjedhur të tatohen në baza reale, obligohen që të zbatojnë rregullat sipas legjislacionit ku kërkohen te mbajnë libra dhe regjistrime sipas Standardeve të Kontabilitetit në Kosovë për periudhën tatimore në të cilën zgjedhja (opsioni) është bërë, plus së paku tri (3) periudha tatimore pasuese, sikurse është paraparë në aktin nënligjor të lëshuar nga ministri.