Njoftim për METD – Konventa në mes të Kosovës dhe Maltës

Njoftim lidhur me përmbajtjen e Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë (tutje METD) për tatimet në të ardhura dhe në kapital dhe për parandalimin e evazionit dhe shmangies fiskale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maltës

Administrata Tatimore e Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të METD-së, ku në kuadër të kësaj ofron edhe shërbime për tatimpaguesit të cilët mbulohen nga këto marrëveshje.

Kjo marrëveshje është e zbatueshme që nga data 01.01.2020.

Për zbatimin e METD-ve personat që kanë të drejtë qasje në të duhet të jenë rezident të njërit prej apo të dy shteteve kontraktuese. Marrëveshja zbatohet ndaj tatimeve direkte: Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Tatimi në të Ardhurat Personale, mbi të ardhura dhe kapital në të dyja shtetet kontraktuese.

Për të krijuar një ‘Njësi të Përhershme’ përveç kriterit të parë që nënkupton vendin fiks të organizimit vjen në shprehje edhe kohëzgjatja e punimeve e cila nuk duhet të kalojë 6 muaj në rastet e ndërtimit, instalimit etj. apo të shërbimeve që nuk duhet të kalojnë 183 ditë brenda periudhës 12 mujore.

Lidhur me fitimet biznesore të trajtuara sipas kësaj marrëveshje, ato duhet të tatohen në vendin ku kryhet aktiviteti apo shërbimi, e gjithë kjo duke u ndërlidh edhe me nenin e ‘Njësisë së Përhershme’.

Sa i përket nenit të ‘Dividentave’ ato tatohen në vendin burimor, por duke iu përmbajtur edhe parimit të pronarit përfitues.

Ndërsa sa i përket nenit të ‘Interesit’, tatimi duhet të paguhet në vendin e rezidencës së pronarit përfitues, mirëpo e drejta për tatuarje i ipet shtetit burimor deri në 5% të shumës bruto.

‘Të Drejtat Pronësore’ të paraqitura në Shtetin Kontraktues do t’i nënshtrohen tatimimit në Shtetin e Rezidencës së tatimpaguesit që i zotëron.

Poashtu trajtohen të hyrat nga punësimi, të cilat do të tatohen në vendin e realizimit të të ardhurave, pra në vendin burimor, kjo vlen gjithashtu edhe për të ardhurat e realizuara nga ‘Argëtuesit dhe Sportistët’.

Pensionet do të tatohen vetëm në shtetin e rezidencës së pranuesit.

Ndërsa lidhur me nenin e ‘Eliminimit të Dyfishtë’ parashihet eliminimi i tatimit të dyfishtë duke lejuar zbritje për vlerën e njëjtë të pagesës në vendin tjetër.

Procedura e marrëveshjes së ndërsjellë vjen në shprehje në rastet kur rezulton një tatim që bie ndesh me marrëveshjen në fjalë, atëherë ai tatimpagues ka të drejtë të paraqes rastin organeve kompetente të cilit do shtet kontraktues.

Shkëmbimi i informatave bëhet mes shteteve me kërkesën e autoritetit tatimor për tatimpaguesit.