NJOFTIM PËR TATIMPAGUES – Administrata Tatimore e Kosovës funksionalizon Sistemin e Ri të Deklarimit Elektronik – EDI

Publikuar më March 26, 2015 09:42

UntitledAdministrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se nga java e fundit e Marsit do të funksionalizohet Sistemi i Ri Elektronik Tatimor.

Sistemi i Ri Elektronik EDI, është më i avancuar, më i përshtatshëm për aplikim në të cilin janë përfshirë veçori të reja, të cilat do të lehtësojnë deklarimin dhe pagesën e tatimeve.

Me Sistemin e Ri Elektronik do të ofrohen risi në mënyrën dhe formën e deklarimit, trajtimit të formularëve tatimorë, mënyrë të re të administrimit të aplikacionit të EDI-t, korrigjimin e të gjithë formularëve tatimorë, si dhe qasje të thjeshtë në historinë e tatimpaguesve, etj.

Gjithashtu, Sistemi i Ri Elektronik EDI do të ofroj shërbimet, si në vijim:

  • Deklarimin dhe pagesën e të gjitha Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale;
  • Gjenerimin e fletëpagesës për borxhet e pashlyera që nga viti 2011;
  • Pasqyra mbi gjendjen e tatimpaguesit që nga viti 2011;
  • Gjenerimin e Vërtetimit Tatimor për biznese;
  • Raportimin e Blerjeve mbi 500€;
  • Caktimin e personit të autorizuar;
  • Ndryshimin e profilit dhe fjalëkalimit;
  • Kontrollimin e historisë dhe bilancit tatimor;
  • Kërkesë për ndihmë, etj.

Njëherit, ju njoftojmë se sistemi elektronik ekzistues, gjatë kësaj jave do të jetë jashtë funksionit, pasi që në këtë periudhë tre ditore do të bëhet zëvendësimi i sistemit ekzistues me sistemin e ri.

 Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj!

 Administrata Tatimore e Kosovës