Njoftim për tatimpagues – Afati i deklarimit vjetor për periudhën 2017

Të nderuar tatimpagues,

Bazuar në Legjislacionin Tatimor, afati për deklarimin vjetor dhe pagesën e Tatimit në të Ardhura Personale, Tatimit në të Ardhura të Korporatave dhe Ortakëritë, është më 31 mars ose para 31 marsit të vitit që pason periudhën tatimore.

Sipas nenit 17, paragrafit 7 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, në rastet kur data e fundit për deklarim dhe pagesë e përcaktuar me Ligj, është ditë pushimi apo ditë feste zyrtare në Kosovë, atëherë dita e fundit për deklarim dhe pagesë, do të jetë dita e parë e punës pas pushimit apo festës.

Në respektim të këtyre dispozitave ligjore, meqenëse data e fundit për deklarim dhe pagesë bie në ditë pushimi dhe festë zyrtare, data 03 prill 2018 do të jetë datë e fundit e afatit për deklarim dhe pagesë për periudhën 2017, për Tatimin në të Ardhura Personale (PD), Tatimin në të Ardhura të Korporatave (CD) dhe Ortakëritë (DO).

ATK, ju inkurajon që të deklaroni dhe paguani tatimin brenda afatit ligjor, në mënyrë që të mos bëheni subjekt i ndëshkimeve të përcaktuara me Ligj.

Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare, siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.

 

Administrata Tatimore e Kosovës