Njoftim për tatimpagues – Aktivitete intensive në veprimtarinë e NDËRTIMTARISË

Publikuar më September 6, 2013 16:01

NDERTIMTARIAAdministrata Tatimore e Kosovës, ri-kujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste në veprimtarinë e Ndërtimtarisë, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen, pajisen me Numër Fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet (bazuar në statusin e tyre) dhe të mbajnë Tatimin në Burim dhe Kontributet Pensionale për të punësuarit e tyre.

Bazuar në Planin Strategjik 2010-2015 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2013, ATK ka hartuar një Plan Veprimi – zhvillim të aktiviteteve tek bizneset me veprimtari të caktuara specifike në periudhën tremujore Korrik – Shtator 2013. Gjatë kësaj periudhe, ATK do të kryejë aktivitete intensive në veprimtarinë e Ndërtimtarisë, me qëllim të identifikimit të bizneseve, grupeve punuese dhe personave fizik, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre sipas Legjislacionit Tatimor.

ATK, ju inkurajon që t’i përgjigjeni detyrimeve tuaja tatimore. Në të kundërtën, do të jetë e shtrënguar që të ndërmarrë masat ndëshkuese gjegjëse, të përcaktuara me legjislacionin tatimor.

Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.

Faleminderit që paguani tatimin dhe kontribuoni në zhvillimin e vendit tonë!

                                                                                                            Administrata Tatimore e Kosovës