Njoftim për tatimpagues – Deklarimi i tatimit nga Kompanitë e Sigurimeve

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se në bazë të Ligjit Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhura të Korporatave, i cili Ligj ka hyrë në fuqi më 05 gusht 2019, Kompanitë e Sigurimit, nga kjo datë e tutje do të deklarojnë dhe paguajnë tatim si çdo person tjetër juridik.

Derisa Ligji Nr. 06/L-105 për Tatim në të Ardhura të Korporatave ka hyrë në fuqi në mes të vitit, atëherë Kompanitë e Sigurimit duhet të bëjnë deklarimet dhe pagesën e tatimit, si në vijim:

  • Për periudhën nga data 01.01.2019 – 04.08.2019, do të deklarojnë dhe paguajnë sipas Ligjit Nr. 05/L-029, ndërsa
  • Për periudhën nga data 05.08.2019 e tutje, do të deklarojnë dhe paguajnë sipas Ligjit Nr. 06/L-105.Pra, nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Tatim në të Ardhura të Korporatave, Kompanitë e Sigurimit do të deklarojnë dhe paguajnë tatimin bazuar në të ardhurat reale, përfshirë paradhënie për këstin TM3/2019. Viti 2019, gjegjësisht periudha TM3/2019 dhe TM4/2019 do të konsiderohet si viti i parë i afarizmit në tatuarje në të ardhura reale, ku do të bëhet parashikimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për periudhën nga data 05.08.2019 – 31.12.2019 dhe tatimi i kalkuluar të pjesëtohet me dy dhe të dërgohen këstet paradhënie.Pra, në formularin e deklarimit “QL-Pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për Korporatat e Mëdha”, për periudhën TM3/2019, në rubrikën [16] – Primet bruto për tremujor, do të raportohen të ardhurat që i takojnë periudhës 01.07.2019 – 04.08.2019, ndërsa në rubrikën [8] Të ardhurat e parapara për periudhën tatimore pjesëtuar me 4, do të raportohen të ardhurat e parashikuara për periudhën 05.08.2019 – 31.12.2019 pjesëtuar me dy.

 

Administrata Tatimore e Kosovës

Shukrije Shabani