NJOFTIM PËR TATIMPAGUES – Kërkesë për respektimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Publikuar më September 3, 2014 13:20

ImagesLigjiAdministrata Tatimore e Kosovës (ATK) ju njofton se  mbyllja e  pikave në të cilat ushtrohet veprimtari e Lojërave të Fatit, ka ndodhur kryesisht për shkak  distancës  së  afërt me  objekte  fetare, kulturore, historike dhe  atyre në  pronësi komunale.

Mbyllja është bërë në pajtueshmëri të plotë me  Ligjin Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit.

Për arsyet e lartpërmendura, ATK  deri më tani, në nivel të vendit, ka mbyllur gjithsejtë 518 njësi të lojërave të fatit.

ATK, ju rikujton se  pikat të cilat janë  mbyllur  për arsyet e cekura apo për çfarëdo arsye tjetër,  nuk mund të veprojnë në asnjë lokacion tjetër, pa marr aprovimin nga ATK.

Prandaj, Administrata Tatimore e Kosovës, kërkon nga  të gjitha subjektet që organizojnë lojëra të  fatit, të respektojnë Ligjin  Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit si dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2013.

Në të kundërtën, në të gjitha rastet ku konstatohet se është ushtruar veprimtaria e lojërave të fatit  në kundërshtim me ligjin për lojërat e fatit, pa marr  pëlqimin  nga institucionet përkatëse , ATK do të ndërmerr të gjitha masat ndëshkuese në përputhje me dispozitat  ligjore, duke mos përjashtuar  edhe tërheqjen e licencës.

Në  rastet kur ATK aplikon masa ndëshkuese, tatimpaguesi i pakënaqur me përcaktimin zyrtar të ATK-së, mund të paraqesë ankesë në Departamentin e Ankesave-ATK, për të ri-shqyrtuar përcaktimin zyrtar brenda 30 ditëve, nga data kur tatimpaguesi ka pranuar përcaktimin zyrtar.