NJOFTIM PËR TATIMPAGUES – Konsolidimi i mbledhjes së borxheve

Administrata Tatimore e Kosovës bazuar në nenin 2, të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ka për detyrë të mbledh të hyrat tatimore sipas afateve ligjore të përcaktuara me legjislacionin tatimor, duke pas parasysh rëndësinë e ngritjes së përmbushjes, veçanërisht përmbushjes vullnetare.

Në këtë kontekst ATK është duke punuar në zbatimin e Planit  Afatmesëm të Veprimit (PAV) 2019-2021, për modernizimin e administratës tatimore, konkretisht konsolidimin e mbledhjes së detyrueshme.

Me qëllim të rritjes së rezultateve në mbledhjen e borxheve, Administrata Tatimore ka ri-organizuar Departamentin e Mbledhjes së Borxheve në një qendër të vetme në Prishtinë, në kuadër të së cilës do të funksionojnë katër divizione, ku secili divizion do të jetë përgjegjës vetëm për një fazë të caktuar të trajtimit të borxheve.

Qëllimi i këtij reformimi është inicuar duke pas parasysh nivelin e borxheve të krijuara nga tatimpaguesit, ku përmes projektit të Konsolidimit të Mbledhjes së Borxheve, ATK do të siguroj procedura dhe qasje të re, në përmirësimin e procesit të trajtimit të borxhit në fazë të hershme, si dhe për të zvogëluar stokun e madh të borxheve.

Kjo formë e re organizative do të rrisë efikasitetin e mbledhjes së borxheve, si dhe në të njëjtën kohë do të ngritë nivelin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies tek stafi i ATK-së.

Bazuar në konsolidimin e mbledhje së detyrueshme, hapat themelor për mbledhjen e borxheve janë trajtimi i shpejtë i borxheve të reja, rritja e ashpërsisë së veprimeve në secilin rast të borxhit të papaguar, si dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore ndaj personave përgjegjës përmes divizioneve përkatëse të specializuara për këto veprime.

Duke u bazuar në misionin, i cili është përmbushja vullnetare e detyrimeve tatimore, Administrata Tatimore e Kosovës do të punojë në vazhdimësi që të rris bashkëpunimin me tatimpagues. Duke u bazuar në këtë dhe në harmoni me procedurat të parapara ligjore, tatimpaguesve u ofrohet mundësia e marrëveshjeve për shlyerjen e detyrimeve tatimore. Mirëpo, në të njëjtën kohë të gjithë tatimpaguesit të cilët nuk shprehin gatishmëri për shlyerjen e detyrimeve tatimore, do të ndiqen dhe ballafaqohen me veprime ligjore për pagesën e borxheve të krijuara.