Njoftim për tatimpagues – Lirimet nga TVSH për importet / furnizimet brenda vendit, të financuara nga të ardhurat e donacioneve

Administrata Tatimore e Kosovës, ri-kujton të gjithë tatimpaguesit se importimi i mallrave, si dhe blerja e mallrave/shërbimeve brenda vendit, janë të liruara nga TVSH, nëse dëshmohet se importimi/blerja bëhet me mjete të financuara nga donacionet.

Për t’u liruar nga TVSH, përfituesi i donacionit duhet të dëshmoj përmes marrëveshjes së financimit apo ndonjë dokumenti tjetër se mallrat e importuara apo mallrat/shërbimet e blera brenda vendit, janë të financuara nga donacionet.

Në rastet kur ofrohet dëshmia nga blerësi se importimi i mallrave është duke u bërë me mjete të financuara nga donacionet, Dogana e Kosovës do të vlerësoj dhe do të lejoj importimin pa TVSH. Po ashtu, në rastet e blerjes së mallrave/shërbimeve brenda vendit, kur ofrohet dëshmia nga blerësi se blerja e mallrave/shërbimeve është duke u bërë me mjete të financuara nga donacionet, furnizimi do të bëhet pa TVSH duke shënuar në faturë referencën e nenit 33, paragrafit 3, nën paragrafit 3.1 të Ligjit Nr. 05/L-037 për TVSH. Nëse nuk ofrohet dëshmia, atëherë importimi/furnizimi do të bëhet me TVSH.

Për më shumë informata lidhur me trajtimin e donacioneve për qëllime tatimore, mund t’i referoheni Vendimit Shpjegues Publik Nr. 04/2016, të cilin mund ta gjeni në ueb-faqe të ATK-së, www.atk-ks.org tek linku Publikime – Shpjegime publike.

Administrata Tatimore e Kosovës