NJOFTIM PËR TATIMPAGUES – Ministri i Financave, nxjerr Udhëzim Administrativ për Transferimin e Çmimit

Publikuar më July 26, 2017 13:27

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se me datë 20.07.2017, Ministri i Financave ka nxjerr Udhëzimin Administrativ MF-Nr. 02/2017 për Transferimin e Çmimit.

Ky Udhëzim Administrativ përcakton rregullat dhe procedurat për administrimin dhe zbatimin e transferimit të çmimeve në përputhje me dispozitat e nenit 27 të Ligjit Nr. 05/L-029 për Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatave.

Dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ janë të zbatueshme për transaksionet e kontrolluara në mes të palëve të lidhura, që janë subjekte të juridiksioneve të ndryshme tatimore.

Ky udhëzim administrativ bazohet në udhëzuesit e OECD-së nga lëmija e transferimit të çmimeve dhe çdo udhëzuesi tjetër që mund të nxirret në të ardhmen, për aq sa nuk është e rregulluar me legjislacionin vendor.

Ky Udhëzim Administrativ hynë në fuqi shtatë (7) ditë pas publikimit të tij, kështu që publikimi në Gazetën Zyrtare është bërë më 21.07.2017. Pra, ky Udhëzim Administrativ është i zbatueshëm nga data 28.07.2017.

Udhëzimi Administrativ MF-Nr. 02/2017 për Transferimin e Çmimit është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org.