NJOFTIM PËR TATIMPAGUES – Nga 1 mars 2017, Rimbursimi kërkohet vetëm përmes deklaratës tatimore

Publikuar më February 28, 2017 17:28

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se nga data 1 mars 2017, Kërkesa për Rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Tatimit në të Ardhurat Personale (TAP) dhe Tatimit në të Ardhurat e Korporatave (TAK), parashtrohet vetëm përmes deklaratave tatimore përkatëse.

Në momentin që dorëzohet Deklarata e TVSH-së, TAP apo TAK, dhe nëse përfshihet/plotësohet shuma e cila kërkohet për rimbursim,  konsiderohet se kërkesa e tillë është dorëzuar në ATK.

Pra, kur tatimpaguesi dorëzon deklaratën tatimore dhe plotëson rubrikat në vijim, konsiderohet se ka parashtruar Kërkesë për Rimbursim në ATK:

  • Rubrika 70 në Formularin e TVSH-së
  • Rubrika 43 në Formularin për TAP
  • Rubrika 44 në Formularin për TAK

Tatimpaguesi duhet të ketë parasysh se kërkesa për rimbursim e përfshirë në deklaratën përkatëse, konsiderohet e pranuar vetëm nëse formulari për tatimin përkatës dorëzohet brenda afateve të përcaktuara me Ligj.

Nga data 1 mars 2017, Rimbursimi kërkohet vetëm përmes deklaratës tatimore, pra kërkesat fizike për Rimbursim nuk do të pranohen në Zyrat e Shërbimit të Tatimpaguesve në ATK.

Bazuar në Rregulloren e brendshme të ATK-së, për Procedurat e Rimbursimit, shqyrtimi i kërkesës për rimbursim, nga ATK, do të bëhet brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit së kërkesës së tatimpaguesit.