Njoftim për tatimpagues – Paguaj tatimin bazë dhe interesin, përfito nga shlyerja e ndëshkimeve!

Me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 04/60 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.01.2021, për lehtësimin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19, Administrata Tatimore e Kosovës, ri-njofton të gjithë tatimpaguesit se mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve nëse kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit.

Të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.

Pra, heqja e ndëshkimeve bëhet për të gjithë tatimpaguesit, nëse:

  • Tatimpaguesit bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit;
  • Tatimpaguesit bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste;
  • Tatimpaguesit janë në marrëveshje me ATK-në dhe paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin.

Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar brenda periudhës ligjore deri më 30 qershor 2021, do të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve.

Të gjithë tatimpaguesit, të cilët paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin, për të përfituar nga falja e ndëshkimeve obligohen që të vizitojnë Zyrën përkatëse të Shërbimit të Tatimpaguesve apo Departamentin për Menaxhimin e Mbledhjes së Borxheve dhe të plotësojnë dokumentin “Kërkesë për pjesëmarrje në programin për faljen e ndëshkimeve”.

 

Administrata Tatimore e Kosovës