Njoftim për tatimpaguesit

Publikuar më November 7, 2012 14:08

Administrata Tatimore e Kosovës është e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga legjislacioni tatimor dhe plani strategjik i ATK-së. Kontribut të veçantë në ngritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës,  kanë të gjithë tatimpaguesit që i kryejnë me obligimet e tyre tatimore konform kërkesave të legjislacionit tatimor, të aplikueshëm në Kosovë.

ATK në bashkëpunim me operatorët e licencuar për projektin e arkave fiskale, ka bërë përgatitjet për vazhdimin e shtrirjes së mëtutjeshme të projektit të fiskalizimit.

Nga fillimi i muajit Nëntorit të këtij viti, do të fillojë  instalimi i pajisjeve elektronike fiskale, të veçanta për pikat e shitjes së derivateve të naftës.

Instalimi i pajisjeve elektronike fiskale për pikate shitjes së derivateve të naftës, në fazën e parë, përfshinë bizneset e NJTM-së,  të cilat janë të obliguara të zbatojnë të gjitha kërkesat teknike për instalimin e këtyre pajisjeve fiskale.

Me qëllim të realizimit sa më efikas të projektit të arkave fiskale, ATK ka bërë kategorizimin e bizneseve që posedojnë pika të shitjes së derivateve të naftës dhe bazuar në të do të kërkoj  që të  pajisen me pajisje elektroneve fiskale të veçanta, në mënyrë graduale.

Grupet e bizneseve do të përcaktohen si vijon :

Grupi I:    Bizneset që janë në kuadër të NJTM-së,

Grupi II:   Bizneset që veprojnë në nivel regjional  dhe që janë deklarues të TVSh-së,

Grupi III: Bizneset e  tjera,

Afatet kohore për realizimin e Projektit të Fiskalizimit

 Bazuar në ndarjet grupore të bizneseve siç është cekë më lartë, Administrata Tatimore e Kosovës ka vendosur që procesi i fiskalizimit të pikave të shitjes së derivateve të naftës të bëhet nëpër faza, duke filluar nga tatimpaguesit e mëdhenj dhe në planin kohor siç është paraqitur më poshtë:

  1. Faza e parë – Grupi I,  përfshinë bizneset e NJTM-së.

       Afati për t’u pajisur me pajisje elektronike fiskale, më së largu deri më 28/02/ 2013.

      2. Faza e dytë – Grupi II,  përfshinë bizneset që veprojnë në nivel regjional  dhe që janë deklarues të TVSh-së:

       Afati për t’u pajisur me pajisje elektronike fiskale, më së largu deri më 31/03/ 2013.
     
     3. Faza e tretë – Grupi III,  përfshinë bizneset e tjera që merren me shitjen e derivateve të naftës dhe nuk i takojnë Grupi I dhe II, të cekura më lartë.

Afati për t’u pajisur me pajisje elektronike fiskale, më së largu deri më 30/04/ 2013.

ATK, është e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga legjislacioni tatimor, andaj të gjithë tatimpaguesit që nuk i përgjigjen kërkesës ligjore për t’u pajisur me pajisje elektronike fiskale, do të ndëshkohen me gjobën prej 1000 euro, bazuar në Ligjin 03/L-222 mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Kërkesa e përcaktuar me ligj për të regjistruar transaksionet përmes pajisjeve elektronike fiskale (lëshimi i  kuponëve me rastin e shitjes së   mallrave  dhe shërbimeve),  do të jetë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Kjo përmirëson aftësinë e Administratës Tatimore për t’u siguruar që të gjithë tatimpaguesit po i përmbushin obligimet e tyre tatimore dhe po i raportojnë me saktësi  të ardhurat e tyre.

Për informatat të tjera, ju lutemi vizitojeni faqen tonë të internetit www.atk-ks.org – linku Arkat Fiskale apo kontaktoni zyrat regjionale të ATK-së.