Prizreni me Qendër moderne për shërbim të tatimpaguesve

Publikuar më October 21, 2013 08:44

Picture   07

“Normalisht që deklarimet elektronike janë të rëndësishme, ne kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur me deklarimet vullnetare dhe elektronike, gjë që është vlerësuar shumë edhe në raportet e FMN-së”, tha ministri i Financave Besim Beqaj në ceremoninë e përurimit të Qendrës së shërbimit të tatimpaguesve – Sistemi për menaxhimin e radhëve në Prizren.

Ministri Beqaj më këtë rast shprehi kënaqësinë për vizitën e  tij në Zyrën rajonale të ATK-së në Prizren, ku sipas tij kjo vizitë me shkas për të bërë përurimin shërbimeve elektronike për tatimpaguesit. “ Një shërbim i ri, një shërbim i cili po na bënë të ndjehemi mirë dhe që do të ja lehtëson punën qytetarëve për të marrë shërbimet që kërkohen nga ATK”, tha ministri Beqaj

I pari i Ministrisë së Financave duke uruar Administratën Tatimore të Kosovës, shefin e Zyrës rajonale për këtë arritje, dhe të gjithë punëtoret  për këtë të arritur , tha se “Këto shërbime do të mundësojnë që komunikimi në mes qytetarëve – tatimpaguesve dhe ATK-së dhe zyrave tjera shtetërore që kanë ndërlidhje më ATK-në të jenë në nivelin maksimal”

Picture   01

Ai më tej bëri të ditur se Javën e ardhshme do të kemi edhe një zyrë tjetër të tillë në nivel rajonal, pra do të jetë qendra në Pejë dhe do të vazhdohet edhe me qendrat tjera rajonale që të ju ofrojmë qytetarëve shërbime sa më të mira  dhe në mënyrë të barabartë.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti , duke falënderuar ministrin Beqaj për vizitën dhe përkrahjen tha se “ kjo është vizita e dytë që bashkërisht me Ministrin  po vizitojmë rajonin e Prizrenit.  Zotimi i jonë i përbashkët para tre muajve ishte se do të modernizojmë dhe digjitalizojmë edhe qendrën e shërbimit të tatimpaguesve në Prizren dhe regjionet tjera, dhe kjo u bë realitet, krejt kjo në funksion të zotimeve tona për të ofruar shërbime kualitative. Çka edhe po kthehet me një mirëbesim dhe deklarim të vetë tatimpaguesve”.

Ai gjithashtu shtoi se “ Vlen të theksohet në përgjithësi në ATK, para 10 dite kemi lanësuar edhe 4 produkte e 4 deklarata kështu që kemi kompletuar ciklin e digjitalizimit të të gjitha deklarimeve elektronike mbi 95 %  të formave të deklaratave dhe mendoj që vitin e ardhshëm do ta mbyllim ciklin edhe me deklaratat vjetore”.