Shtyhet afati i ndërrimit të certifikatave të TVSH-së

Publikuar më December 3, 2010 10:34

(Prishtinë 03 Dhjetor, 2010) Administrata Tatimore e Kosovës – ATK, me qëllim të ngritjes së shërbimit ndaj tatimpaguesve, njofton se ka shtyrë afatin për lëshim të certifikatave të reja për regjistrim në TVSh, deri me datë 31 Dhjetor 2010. Shtyrja e afatit vjen si rezultat i përkushtimit për zbatim transparent dhe efektiv të shërbimeve, zbatim të barabartë dhe të njëtrajtshëm të ligjit, si dhe inkurajim për përmbushjen vullnetare.

Me këtë rast ATK, lut të gjithë tatimpaguesit që posedojnë certifikata të vjetra të Regjistrimit për TVSh, të lajmërohen në Administratën Tatimore të Kosovës, në mënyrë që të pajisen me certifikatat e reja. Afati i fundit për ndërrim të certifikatave është 31 Dhjetor 2010. Pas kësaj date, certifikatat e vjetra do të konsiderohen, jo të vlefshme!

Këto ndryshime vijnë si rezultat i implementimit të Ligjit 03/L-146 për TVSh, i cili kërkon të aplikohen dy lloje të certifikatave: Certifikata për regjistrim në TVSh” dhe “Certifikata për Import dhe Eksport”. Kjo nënkupton se pas datës së lartpërmendur, për të kryer Importe apo Eksporte, Doganat e Kosovës do të pranojnë vetëm certifikatat e reja.

ATK, në mënyrë që të ngrit transparencën e aktiviteteve, mbulimin e dilemave interpretuese, si dhe duke lejuar shfrytëzimin e mundësive më të mëdha për implementimin e zbatimit të drejtë dhe të njëllojshëm të ligjeve tatimore, fton tatimpaguesit që të respektojnë këtë afat si dhe të drejtohen në zyrat e tyre regjionale për çdo pyetje apo paqartësi.