KOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK ka grumbulluar 94.6 % të të hyrave të përgjithshme vjetore

Administrata Tatimore e Kosovës një muaj para së të mbyllet viti kalendarik ka arritur që të tejkaloj parashikimet e përcaktuara.  Sigurisht, që tek ky rezultat kanë ndikuar përkushtimi dhe qasja profesionale e menaxhmentit  dhe të zyrtarëve të ATK-së.

Deri me 30 nëntor 2018  administrata tatimore ka grumbulluar 94.6 % të të hyrave të përgjithshme vjetore, apo shprehur në shifra 421.8  milion euro.

Krahasimi mes periudhave, reflekton rezultatet të cilat kanë tejkaluar objektivat tona. Nëse e krahasojmë periudhën janar-nëntor 2018 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje për 39.9 milion euro apo 10.4 %, ndërsa në raport me planin janë mbledhur 10.7 milion euro apo 2.6 % më shumë të hyra se plani i paraparë.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 148.3 milion euro  të hyra për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK).

ATK, vazhdimisht është duke zhvilluar aktivitete për të ngritur nivelin e përmbushjes së obligimeve tatimore, përfshirë transparencën në shërbimet ndaj tatimpagueseve, të cilët do të kenë më të lehtë informimin dhe kryerjen e obligimeve në mënyrë vullnetare.