Takimi i rradhës në mes AMCHAM dhe ATK

Publikuar më February 23, 2011 15:42

(Prishtinë 23, shkurt 2011) – Në vazhdën e takimeve të përbashkëta, Komisioni Tatimor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me udhëheqësit e Administratës Tatimore të Kosovës zhvilluan sot një drekë pune me qëllim të vazhdimit të komunikimit, shqyrtimit për së afërmi të problemeve e pengesave eventuale që bizneset mund t’i hasin gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre si dhe për të diskutuar mundësitë për të krijuar një ambient më të favorshëm për bizneset që veprojnë në Kosovë.

Në takim ishte prezent edhe vet Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Behxhet Haliti, i cili u shpreh mirënjohës për takimin duke shtuar se edhe pse ATK mbështet punën në tre shtylla, të cilat janë: një përkushtim për zbatim transparent dhe efektiv të shërbimeve, zbatim të barabartë dhe të njëtrajtshëm të ligjit, si dhe një angazhim për përmbushjen vullnetare, takimet e këtij lloji u ndihmojnë zyrtarëve tatimor të përmirësojnë të metat e tyre, si dhe të identifikojnë fushat potenciale të legjislacionit që kërkojnë përmirësim të mëtejmë. Ai njëherit tha se viteve të fundit, ATK ka ndërmarrë një sërë reformash me qëllim të përmirësimit të legjislacionit, procedurave tatimore, por edhe komunikimit me tatimpaguesit afarist. Duke folur për reformat, z.Haliti theksoi sistemin e ri të teknologjisë informative për procesimin e pagesave, i cili shumë shpejtë pritet të mundësojë edhe deklarimin përmes internetit.

Në anën tjetër, z. Lekë Musa, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve të ngjashme me udhëheqësit e ATK-së në të kaluarën por edhe me drejtues të institucioneve të tjera relevante, me qëllim të përmirësimit të komunikimit të bizneseve me agjencitë ekzekutuese si ajo e Administratës Tatimore e Kosovës. Ai po ashtu theksoi se takimet e tilla u mundësojnë vetë përfaqësuesve të biznesit të shprehin shqetësimet me të cilat ata preokupohen gjatë punës së tyre.

Në takim ishin ishin të pranishëm edhe zëvendës presidenti i Bordit të OEAK, Erolld Belegu dhe një numër përfaqësuesish të bizneseve anëtare të OEAK si dhe ekspertë nga projekti për mbështetjen e ATK-së i financuar nga USAID.

Në vijim, përfaqësuesit e bizneseve patën mundësinë të parashtrojnë pyetje për ndonjë paqartësi ose shqetësim me të cilin ata përballen në punën e tyre si dhe të marrin përgjigje të drejtpërdrejtë nga ana e drejtorit të ATK-së si dhe nga udhëheqësit e departamenteve përkatëse. Po ashtu gjatë takimit u bisedua edhe për çështje të tjera specifike, si dhe u shpreh dakordimi i dyanshëm që takimet e tilla të jenë të rregullta.

Administrata Tatimore e Kosovës