VENDIM SHPJEGUES PUBLIK NR. 03/2013 – Për trajtimin tatimor të furnizimeve dhe importeve kur financohen drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian

Publikuar më November 4, 2013 15:26

Ne përputhje me dispozitat e nenit 9 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës,nxjerr:

 VENDIM SHPJEGUES PUBLIK NR. 03/2013

 Për trajtimin tatimor të furnizimeve dhe importeve kur financohen drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian.

 

QËLLIMI

   Ky Vendim Shpjegues vlen për personat e tatueshëm që ekskluzivisht janë të përfshirë në kryerjen e furnizimeve të liruara në pajtim me nënparagrafin 3.1 të Nenit 33 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në kur furnizohen drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian dhe lirimet në import në pajtim me nënparagrafin 2.1 të Nenit 30 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në kur financohen drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian.

BAZA LIGJORE

 Personat e tatueshëm që ekskluzivisht janë të përfshirë në kryerjen e furnizimeve të liruara në pajtim me nënparagrafin 3.1 të Nenit 33 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në kur furnizohen drejtpërdrejtë nga Komisioni Evropian, munden pavarësisht nga nënparagrafi 2.2 i Nenit 40 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në të kërkojnë në baza mujore rimbursimin për TVSh pa marrë parasysh shumën e kreditimit të TVSh-së për TVSh-në e zbritshme që lidhet me furnizimet që drejtpërdrejtë financohen nga KE dhe të lirohen në pajtim me nënparagrafin 3.1 të Nenit 33 të Ligjit Nr. 03/L-146  për TVSh-në. Kërkesa e tillë do të merret parasysh vetëm nëse personi i tatueshëm i është përmbajtur të gjitha dispozitave Doganore dhe të TVSh-së si dhe i ka dorëzuar të gjitha deklaratat e TVSh-së dhe të gjitha deklaratat tjera tatimore për të gjitha periudhat tatimore.

Pavarësisht nga Neni 30 i Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ATK do të ndërmerr veprime brenda 30 ditëve, për të shqyrtuar kërkesën për rimbursim, prej datës kur ATK e ka pranuar kërkesën për rimbursim nga tatimpaguesi në qoftë se tatimpaguesi për këtë kërkesë mund të paraqes dëshmitë e duhura. Dëshmitë e duhura janë të specifikuara në nenin 41 të Udhëzimit Administrativ 15/2010 mbi Zbatimin e Ligjit mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat.

LIRIMET NGA TVSh-ja

 Ligji Nr. 03/L-146 për TVSh-në parasheh lirime nga TVSh-ja për furnizimet në vijim që do të trajtohen si eksporte:

Neni 33, nënparagrafi 3.1: (dispozitë kalimtare) Furnizimi i mallrave dhe shërbimeve të financuara nga të ardhurat e donacioneve të bëra për buxhetin ose nëpërmes buxhetit të Kosovës ose nën mbikëqyrjen e organeve kompetente ose të financuara direkt nga kontratat për Ministrit, autoritetet lokale dhe organet tjera të rregulluara me ligj, nga qeveritë, agjensionet qeveritare, organizatat qeveritare dhe joqeveritare në mbështetje të programeve dhe projekteve humanitare dhe të rindërtimit përfshirë projektet e Integrimeve Evropiane në Kosovë.

Ligji Nr. 03/L-146 për TVSh-në parasheh lirim për importet në vijim:

Neni 30, nënparagrafi 2.1 (dipozitë kalimtare) importet e mallrave të financuara nga të ardhurat e donacioneve të bëra për buxhetin ose nëpërmes buxhetit të Kosovës ose nën mbikëqyrjen e organeve kompetente ose të financuara direkt nga kontratat për përfitim të Ministrive, autoriteteve lokale dhe organeve tjera te rregulluara me ligj, nga organizatat ndërkombëtare ndër-qeveritare dhe agjencionet e tyre, qeveritë, agjensionet qeveritare, organizata qeveritare dhe joqeveritare në mbështetje të programeve humanitare dhe të rindërtimit dhe projekteve të tjera përfshirë projektet e Integrimeve Evropiane në Kosovë.

E DREJTA PËR TË ZBRITUR TVSh-në E ZBRITSHME

 Nënparagrafi 3.2 i Nenit 36 tw Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh parasheh të drejtën e zbritjes së TVSh-së së zbritshme derisa këto mallra dhe shërbime shfrytëzohen për qëllime të transaksioneve të cilat janë të liruara sipas Kapitullit 12 (Nenet 33-35).

RIMBURSIMI I TVSh-së

Nënparagrafi 2.2 i Nenit 40 tw Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh parasheh se një person i tatueshëm mund të kërkojë rimbursimin e TVSh-së, nëse shuma e kreditit të TVSh-së e tejkalon shumën mbi pesëmijë (5000)€ në fund të periudhës tatimore me kushtin që personi i tatueshëm i është përmbajtur të gjitha dispozitave doganore dhe të TVSh-së si dhe janë dorëzuar të gjitha deklaratat e TVSh-së dhe tatimeve tjera për të gjitha periudhat tatimore të kaluara.

Pavarësisht nga të dhënat e lartpërmendura, personi i tatueshëm ka të drejtë të bëjë kërkesë për Rimbursim të TVSh-së në baza mujore për TVSh-në e zbritshme që lidhet me furnizimet që drejtpërdrejtë financohen nga Komisioni Evropian në pajtim me nënparagrafin 3.1 të Nenit 30 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në pa marrë parasysh shumën e kreditit të TVSh-së dhe ATK do të marrë përsipër që të shqyrtojë kërkesat e tilla. Kërkesa e tillë do të merret parasysh nga ATK vetëm nëse personi i tatueshëm ka dorëzuar të gjitha deklaratat e TVSh-së dhe të gjitha deklaratat tjera tatimore për të gjitha periudhat tatimore, për të cilat ka pasur obligim që t’i dorëzoj, si dhe nëse iu është përmbajtur kërkesave të parapara me nenin 41 të Udhëzimit 15/2010 mbi Zbatimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

PROCEDURAT E REGJISTRIMIT PËR TVSh DHE PËR TATIM NË TË ARDHURA

 Personat e tatueshëm që nuk janë të themeluar në Kosovë, por që e kanë njësinë e themeluar në një Shtet Anëtar të BE-së ose në ndonjë vend që është nënshkrues i marrëveshjes IPA (duke përjashtuar Kosovën), nuk kërkohet të regjistrohen për qëllime afariste në Kosovë bazuar në nenin 26, paragrafi 2 pika c) të Marrëveshjes IPA për furnizimet që janë drejtpërdrejtë të financuara nga KE (Kontraktuesi i KE-së). Mirëpo, nëse këta persona do të punësojnë staf vendor, do të paguajnë qira, do të paguajnë interes apo të drejta të autorit, kërkohet që të pajisen me Numër Fiskal nga ATK në mënyrë që të kenë mundësinë të mbajnë Tatimin në Burim. Gjithashtu ata do të pajisen me Numër Fiskal me qëllim të zbatimit të skemave speciale për rimbursim mujor pa marrë parasysh shumën e kreditit të TVSh-së.

Personat tjerë të tatueshëm do t’i nënshtrohen të gjitha procedurave të regjistrimit të biznesit, siç kërkohet me Ligjet në fuqi në Kosovë.

LËSHIMI I FATURAVE

PERSONI I TATUESHËM QË KRYEN FURNIZIME TË LIRUARA

 Një person i tatueshëm që kryen furnizime të liruara në pajtim me nënparagrafët 1.1, 1.2, 1.3 ose paragrafin 3 të Nenit 33 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në, duhet të lëshojë faturë në pajtim me rregullat normale për lëshimin e faturave.

Personi i tatueshëm, që nuk ngarkon me TVSh në këto fatura, është i obliguar të paraqes arsyen për lirim. Prandaj duhet të shtohet teksti në vijim: “Furnizimi është i liruar, sipas (përmendni dispozitat përkatëse të ligjit)”. Një referencë duhet t’i bëhet kontratës apo ndonjë dokumentit të ngjashëm për të cilën është bërë furnizimi.

KONTRAKTUESIT DHE NËNKONTRAKTUESIT

Kontraktuesit

Për furnizimet e liruara në pajtim me nënparagrafin 3.1 të Nenit 33 me arsyen se ata financohen drejtpërdrejtë nga KE, do të zbatohet si në vijim:

Personi i tatueshëm që kryen një furnizim do të referohet si kontraktues. Kontraktuesi është një person fizik apo juridik apo organizatë tjetër që ofron shërbime dhe/ose ofron furnizime të mallrave sipas kontratës që financohet drejtpërdrejtë nga KE.

Nënkontraktuesit:

Furnizuesit apo nën-kontraktuesit e kontraktuesit që kryejnë funizime të liruara nuk i nënshtrohen lirimeve speciale. Prandaj, ata duhet të zbatojnë skemën e rregullt të TVSh-së dhe të ngarkojnë me TVSh, nëse furnizimi nuk është i liruar nga TVSh-ja në pajtim me Nenin 27 ose Nenin 28 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në.

Është theksuar se furnizuesit dhe nën-kontraktuesit e personit të tatueshëm që kryejnë furnizime të liruara do t’i nënshtrohen rregullave normale të TVSh-së: blerjet të cilat ata i kryejnë duhet të ngarkohen me TVSh dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të cilat i kryejnë i nënshtrohen TVSh-së, vetëm nëse furnizimi është i liruar në pajtim  me Nenin 27 ose Nenin 28 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh-në.

Ata munden në pajtim me rregullat e përgjithshme të bëjnë zbritjen e TVSh-së së zbritshme në deklaratat e tyre të TVSh-së dhe në kërkesat e rimbursimit të TVSh-së dhe për këto veprohet në bazë të rregullave normale të TVSh-së.

Për qëllime të këtij Shpjegimi Publik, “Nënkontraktues” apo furnizues i kontraktuesit do të konsiderohet secili person i tatueshëm i cili nuk është nënshkrues i Kontratës në mes të Komisionit Evropian dhe kontraktuesit të tij.

KËRKESA PËR LIRIM NGA PAGESA E TVSH-SË NË IMPORT

 Kontraktuersi i Komisionit Evropian mund të parashtrojë kërkesë në Divizionin e Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve, i cili gjindet në Zyrën Qendrore të ATK-së, për të marrë një interpretim se mallrat të cilat janë të përfshira në kontratën me KE, të cilat do të importohen, janë të liruara nga TVSh.

ATK, interpretimin e tillë do ta bëjë për tërë kontratën me Komisionin Evropian.

HYRJA NË FUQI

 Ky Shpjegim Publik, hyn në fuqi në datën e nënshkrimit nga Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së dhe si i tillë shfuqizon Shpjegimin Publik nr. 02/2010 të datës 13.08.2010.