VENDIM SHPJEGUES PUBLIK NR. 04/2013 – Ç’REGJISTRIMI NGA TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

Publikuar më December 5, 2013 08:28

Ne përputhje me dispozitat e nenit 9 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, nxjerr:

VENDIM SHPJEGUES PUBLIK NR. 04/2013

 Ç’REGJISTRIMI NGA TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

QËLLIMI

Ky Vendim Shpjegues vlen për personat e tatueshëm (personat e regjistruar në TVSh, si Deklarues të TVSh-së dhe Deklarues vullnetar të TVSh-së) që dëshirojnë të çregjistrohen nga TVSh, bazuar në Nenin 9 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh dhe Nenin 8 të Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2010.

BAZA LIGJORE

 Personat e tatueshëm të regjistruar në TVSh, bazuar në Nenin 9 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh dhe Nenin 8 të Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2010, mund të kërkojnë nga Administrata Tatimore e Kosovës, që të anulojnë regjistrimin e tij për qëllime të TVSh-së, nëse furnizimet totale gjatë 12 muajve të fundit kanë qenë nën pragun e paraparë me nenin 6 të këtij Ligji. Ç’regjistrimi nga TVSh hyn në fuqi dymbëdhjetë muaj pas datës së paraqitjes së kërkesës.

Ç’REGJISTRIMI NGA TVSH

 Çdo person i regjistruar për TVSh, në mënyrë të detyruar apo edhe vullnetare, mund të kërkojë nga ATK që të ç’regjistrohet për qëllime të TVSh-së, nëse në 12 muajt e fundit qarkullimi i tij ka rënë nën pragun prej 50,000€, pragu i përcaktuar me Nenin 6 të Ligjit Nr. 03/L-146 për TVSh.

Tatimpaguesi i cili është i regjistruar në TVSh, si Deklarues i TVSh-së apo edhe si Deklarues vullnetar i TVSh-së, nga momenti i regjistrimit për TVSh, së paku duhet të qëndrojë me këtë status 12 muaj. Nëse pas 12  muajve, qarkullimi i tij ka rënë nën pragun e paraparë me nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-146 për TVSh (nën 50,000€), ai mund të bëjë kërkesën për t’u çregjistruar nga TVSh.

Nëse brenda 12 muajve pasues nga dita e kërkesës për ç’regjistrim, furnizimet e personit të tatueshëm do të jenë mbi pragun e paraparë me nenin 6 paragrafi 1 të Ligjit për TVSh, ky person i tatueshëm do të njoftohet nga ATK se nuk i është aprovuar kërkesa për ç’regjistrim nga TVSh-ja.

Nëse brenda 12 muajve pasues nga dita e kërkesës për ç’regjistrim, furnizimet e personit të tatueshëm do të jenë nën pragun e paraparë me nenin 6 paragrafi 1 të ligjit, ky person i tatueshëm do të njoftohet nga ATK se i është aprovuar kërkesa për ç’regjistrim nga TVSh, dhe ky person detyrohet që t’i kthejë ATK-së çertifikatën e TVSh-së.

Përjashtim nga rregulli i mësipërm, personi i tatueshëm i cili ka mbyllur veprimtarinë e tij ekonomike, detyrohet të bëjë kërkesë për ç’regjistrim nga TVSh, deri në ditën e 15 pas datës së mbylljes së veprimtarisë ekonomike. Me rastin e kërkesës për ç’regjistrim, ky person duhet t’ia dorëzojë ATK-së çertifikatën e tij të TVSh-së dhe të gjithë dokumentacionin e çertifikuar.

Disa shembuj për ilustrim dhe të tjera mund t’i gjeni ne linkun Vendimi shpjegues publik 04/2013 .