Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Turqisë, Sinashi Candan vizitoi Ministrinë e Financave

Publikuar më April 18, 2013 09:33

MakeThumbnail

Një delegacion nga Administrata Tatimore e Turqisë në krye me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të këtij institucioni z. Sinashi Candan,  kanë vizituar sot Ministrinë e Financave, ku janë pritur nga zëvendësministri  i Financave Ramadan Avdiu dhe drejtori i Administratës Tatimore z.Behxhet Haliti.

Në këtë takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellët  ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, e në veçanti për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e tatimeve.

Më këtë rast zëvendësministri Avdiu përgëzoi të dy udhëheqësit e Administratave Tatimore nga të dyja vendet dhe i inkurajoj ata për thellimin e  bashkëpunimit. Sipas zëvendësministrit Avdiu “Takimet dhe vizitat e ndërsjellët të këtyre dy vendeve do të ndikojnë në ngritjen e bashkëpunimit, sidomos në ngritjen e kapaciteteve  për ofrimin e shërbimeve sa më efikase për tatimpaguesit. Dhe gjithashtu në mbledhjen e të hyrave tatimore, si dhe në respektimin dhe zbatimin e legjislacionit tatimor dhe misioneve të të dy administratave tatimore”.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i  Drejtorisë së Tatimeve në Turqi z. Sinashi Candan, duke falënderuar  zëvendësministrin Avdiu për mikpritjen, shprehu gatishmërinë  e tij dhe të shtetit turk për bashkëpunim të ndërsjellët. Ndërsa, drejtori  i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, tha se  “Shkëmbimi i përvojave të avancuara është shtysë e madhe për veprimtaritë tona tatimore. Takimet në fjalë do të kontribuojnë pikë së pari në shkëmbimin e eksperiencave në fusha të ndryshme, mes dy administratave tatimore, e në veçanti në ngritjen e kapaciteteve si administratë e re për ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe për krijimin e kushteve sa më të mira për tatimpaguesit”.