Në vazhdën e vizitave të planifikuara në zyrat regjionale të ATK-së, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti fillimisht ka vizituar regjionin e Prishtina I dhe Prishtina II, Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, zyrën regjionale të ATK-së në komunën e Pejës, si dhe zyrën regjionale në Mitrovicë.
Në këtë takim drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës z.Behxhet Haliti, foli për të arriturat dhe sfidat në gjashtëmujorin e parë dhe kërkoj angazhim të vazhdueshëm me qëllim të ofrimit të shërbimeve kualitative për tatimpaguesit dhe përmbushjes së objektivave të parashikuara.
Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar në trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve, gjithashtu ATK-ja është e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të legjislacionit tatimor, në mënyrë që të krijoj kushte më të mira për zhvillimin e biznesit në Kosovë, theksoi drejtori i përgjithshëm z.Behxhet Haliti.
Ndër të tjera, z.Haliti porositi zyrtarët e ATK-së, që të kenë parasysh se efikasiteti dhe angazhimi i pandërprerë, janë mënyrat e vetme të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e shtetit dhe njëherit në ngritjen e standardeve jetësore të popullit të Kosovës.
z.Haliti, gjatë këtyre vizitave ka zhvilluar takim me kryetarin e komunës së Pejës dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, si dhe menaxherët e zyrave regjionale të Odës Ekonomike të Kosovës, ndërmjet të cilëve është diskutuar për ngritjen e bashkëpunimit, kryesisht në pjesën e barrës tatimore që kanë të bëjnë me komunat.
Këto vizita po realizohen në kuadër të Planifikimit të Vizitave nëpër zyrat regjionale të ATK-së, me qëllim të analizimit të punës dhe mundësisë së ngritjes së efikasitetit.
Administrata Tatimore e Kosovës