Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot seminar me Ndërmarrjet Publike të Republikës së Kosovës, rreth trajtimit për pranimin e zhvlerësimit të aseteve , procedurat e njohjes së borxhit të keq si dhe deklarimi i TVSH-së në shkallë inkasimi.
Nevoja e këtij seminari ka ardhur pas një takimi të mbajtur me Ministrin e Ekonomisë, pasi që nga NPP-të janë ngrit tri kërkesa për ATK-në, që kanë të bëjnë më njohjen e TVSH-së në shkallë inkasimi, borxhet e këqija si dhe zhvlerësimi sipas vlerësimit të aseteve.
Administrata Tatimore e Kosovës, sa i përket kësaj çështje, ka potencuar se nuk ka nevojë për ndonjë marrëveshje për trajtimin e këtyre rasteve, me ç’rast tri rastet janë të zgjidhura me Legjislacion. Në mënyrë që NP-të të përfitojnë lehtësirat e përmendura, ato duhet të përfillin procedurat e parapara me legjislacion.
Në këtë takim drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës z.Behxhet Haliti, tha se ATK në kuadër të aktiviteteve të saj, çdo herë është e përkushtuar që ti trajtoj në mënyrë të barabartë të gjitha kërkesat të cilat adresohen nga ana e tatimpaguesve.
Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me tri temat që janë prezantuar nga Ruzhdi Zenelaj dhe Isen Lipovica si dhe për çështje të tjera me interes.