Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Raportime 0800 80 800

Kriptomonedhat – kuptimi dhe trajtimi tatimor i të ardhurave nga kjo veprimtari

Në Republikën e Kosovës, përkufizimi dhe trajtimi ligjor i “Pasurisë digjitale” është i rregulluar përmes Ligjit Nr. 08/L-295 për Kripto-Asetet. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha aktivitetet që lidhen me ofrimin e këshillave, emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe ruajtjen e kripto-aseteve, për persona fizikë apo juridikë që veprojnë në territorin e Kosovës apo ofrojnë shërbime nga Kosova për klientë jashtë saj. Sipas këtij ligji, kripto-aseti ose aktivi virtual është çdo paraqitje digjitale e një vlere apo të drejte, e cila mund të ruhet dhe të transferohet në mënyrë elektronike, përmes Teknologjisë së Regjistrit të Shpërndarë (Distributed Ledger Technology – DLT) apo teknologjive të ngjashme.

Të ardhurat nga kriptomonedhat tatohen vetëm në momentin kur ato shiten dhe realizohet fitim. Blerja dhe mbajtja e kriptomonedhës nuk janë subjekt i tatimit. Në rastin e shitjes me fitim, tatimi paguhet mbi fitimin kapital, i cili përfaqëson diferencën pozitive ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes.

Çdo person rezident i Republikës së Kosovës që realizon të ardhura nga shitja e kriptomonedhave me fitim është i detyruar të paguajë tatim.

Sipas Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, një person konsiderohet rezident në Republikën e Kosovës kur përmbush njërën nga kriteret e mëposhtme:

  • Ka vendbanimin e përhershëm, kryesor ose të zakonshëm në Kosovë; ose
  • Qëndron në Republikën e Kosovës për së paku 183 ditë brenda vitit tatimor; ose
  • Ka qendrën e interesave jetike në Kosovë, që përfshin lidhje personale, ekonomike apo shoqërore (si familja, aktiviteti ekonomik, pasuria, etj.); ose
  • Është shtetas i Kosovës që punon jashtë vendit në shërbim të institucioneve të Republikës së Kosovës; ose
  • Është ndërmarrje afariste personale, ortakëri apo shoqëri e personave, e themeluar në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës;
  • Është person juridik apo ndërmarrje e themeluar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës; ose
  • Është person juridik i huaj që ka vendin efektiv të menaxhimit në Kosovë.

Në rastin e personave fizikë, statusi i rezidentit fillon të vlejë që nga data e arritjes në Kosovë, nëse plotësohet ndonjë nga kushtet e mësipërme.

Çmimi i blerjes së kriptomonedhës përcaktohet në varësi të mënyrës se si është fituar ajo. Në përgjithësi, kriptomonedhat mund të përfitohen në dy mënyra: përmes blerjes në treg ose përmes procesit të mihjes (mining).

  • Kur kriptomonedha është blerë, çmimi i blerjes konsiderohet shuma e paguar në momentin e transaksionit.
  • Kur kriptomonedha është fituar përmes mihjes, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat reale, si çmim i blerjes konsiderohen kostot reale të krijuara gjatë procesit të mihjes, përfshirë: pajisjet, energjinë elektrike, mirëmbajtjen dhe shpenzime të tjera të lidhura me aktivitetin.

Është e domosdoshme që të gjitha shpenzimet që lidhen me blerjen ose mihjen e kriptomonedhës të mbështeten me dokumentacion të rregullt (si fatura, dëshmi pagese, kontrata, etj.). Në rast se këto shpenzime nuk dokumentohen me prova të vlefshme, atëherë tatimi do të llogaritet dhe paguhet mbi çmimin e plotë të shitjes së kriptomonedhës, pa zbritje të shpenzimeve.

Shembull ilustrues:

  • Një person blen një kriptomonedhë për 300 €.
  • Më vonë, e shet për 1,000 €.
  • Fitimi kapital është 1,000 € – 300 € = 700 €.
  • Tatimi llogaritet mbi këtë fitim (700 €), sipas normës tatimore në fuqi.

Nëse kriptomonedha shitet për një çmim më të ulët sesa është blerë, atëherë realizohet humbje kapitale. Në këtë rast, nuk ka detyrim tatimor për atë transaksion, por humbja mund të ndikojë në llogaritjen e tatimeve për fitime të tjera.

Aktualisht, nuk ka përjashtime apo lirime tatimore të përcaktuara në legjislacionin tatimor për të ardhurat nga tregtimi i kriptomonedhave. Çdo fitim i realizuar nga këto veprimtari është i tatueshëm.

Po, edhe personat juridikë që realizojnë të ardhura nga shitja e kriptomonedhave janë subjekt i tatimit, ashtu si personat fizikë. Fitimet e realizuara nga shitja e kriptomonedhave trajtohen si fitime kapitale dhe janë të tatueshme sipas normës aktuale të Tatimit në të Ardhurat e Korporatave (TAK), e cila është 10%.

Në këtë mënyrë, çdo person juridik që operon në tregun e kriptomonedhave dhe realizon fitim, ka detyrim që të deklarojë dhe të paguajë tatimin përkatës, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi në Republikën e Kosovës.