Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Komunikatë për Media – ATK-ja, vazhdon aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të palicencuara të lojërave të fatit në Regjionin e Pejës

Administrata Tatimore e Kosovës, – Drejtorati i Lojërave të Fatit me asistim të Policisë së Kosovës-Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Inspektoratit Komunal të Pejës, prej datës 03.03.2011 deri më 05.03.2011, kanë zhvilluar aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të pa licencuara që merren me aktivitete të Lojërave të Fatit (LF) në Komunën e Pejës.

Një aksion i tillë është ndërmarrë si rezultat i një bashkëpunimi në mes ATK-së, PK-së dhe Inspektoratit Komunal me të vetmin qëllim, zbatimin e plotë të Ligjit Nr. 2004/35, për Lojërat e Fatit.

Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 22 (njëzetë e dy) subjekteve të Lojërave të Fatit në Komunën e Pejës, dhe janë ndëshkuar 3 subjekte, (2 subjekte me nga 5.000 € dhe 1 subjekt me 35.250 €), e gjitha kjo si rezultat i mosrespektimit të Ligjit Nr. 2004/35.

Aktivitete të tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, PK-së dhe Inspektoratit Komunal, janë planifikuar të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke mbuluar kështu gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar dhe e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të Ligjit për Lojërat e Fatit, me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori të subjekteve ekonomike.

Gjithashtu, ATK-ja, ka për synim që të ngritë shkallën e bashkëpunimit me shumë institucione të tjera që merren me zbatim të ligjit, në mënyrë që sa më shumë të ndikojë në uljen e ekonomisë informale.