Administrata Tatimore e Kosovës ndan me ju arritjet dhe pritshmëritë që ka për vitin e ri fiskal, i cili padyshim që do të jetë i reflektuar nga sukseset e vitit të kaluar.
Viti i kaluar ishte një vit i jashtëzakonshëm për ATK-në, në aspektin e realizimit të objektivave, por edhe i vlerësimeve nga institucionet ndërkombëtare. Në vitin 2024 janë mbledhur të hyra rekorde, duke tejkaluar parashikimet dhe duke konfirmuar angazhimin e menaxhmentit dhe stafit të ATK-së për një sistem tatimor efikas, të drejtë dhe transparent.
Sot raportojmë për tendencën e rritjes së qëndrueshme të të hyrave tatimore për këtë vit. Të dhënat statistikore për dy muajt e parë të vitit 2025 tregojnë se këto të hyra premtojnë realizimin e projeksionit të planifikuar. Janë gjithsejtë 184.3 milionë euro tatime të mbledhura vetëm për këta dy muaj, që në krahasim me janar-shkurt nga vitit 2024 janë 7.2 % më shumë, apo 12.3 milionë euro.
ATK në muajt në vijim sigurisht që do të vazhdoj me intensifikimin e angazhimit për të lehtësuar përmbushjen vullnetare të tatimeve, për të rritur mbikëqyrjen dhe për të përmirësuar mekanizmat e institucionit. Do të vazhdohet gjithashtu me implementimin e projekteve dhe reformave të reja, që synojnë rritjen e disiplinës tatimore dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.