Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot konferencën vjetore për mediat, ku Drejtori i Përgjithshëm z. Ilir Murtezaj prezantoi arritjet dhe rezultatet kryesore të ATK-së gjatë vitit 2024.
Në fjalën e tij, drejtori vlerësoi si jashtëzakonisht të suksesshëm këtë vit, duke theksuar rritjen e vazhdueshme të të hyrave tatimore, të cilat kanë kapur shifrat deri në 950 milionë euro, apo rreth 100 milionë euro më shumë se viti i kaluar. Ai gjithashtu informoi për progresin e bërë në trajtimin e borxheve tatimore, përmirësimin e llogaridhënies dhe intensifikimin e masave për luftimin e evazionit tatimor.
Përveç të hyrave vjetore në këtë konferencë drejtori i ATK-së bëri të ditur se institucioni tatimor muajin e ardhshëm shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, dhe bashkë më të progresin e shënuar për gjithë këto vite, prej të cilave janë mbledhur 8.3 miliardë euro.
“Angazhimi ynë i palëkundur për të siguruar barazi tatimore dhe për të rritur efikasitetin në mbledhjen e të hyrave ka sjellë rezultate të prekshme. Kemi shënuar një progres të madh në zbatimin e masave kundër evazionit tatimor dhe kemi marrë vlerësime pozitive nga institucionet ndërkombëtare për përmirësimet tona strukturore dhe operacionale,” tha z. Murtezaj. Tutje, shtoi se “pas punës së mirë dhe rezultateve të ngritura, normalisht vjen edhe ajo që ka qenë e pritshme! Gjatë nëntorit të këtij viti në ATK ka qëndruar një mision i FMN-së për të bërë matjen e performancës së ATK-së. Misionet e tilla bëjnë matje të rregullta dy vjeçare të autoriteteve tatimore, ku në këtë rast bazuar në draft Raportin të cilin e pranuam pas përfundimit të misionit rezulton ta pranojmë njërën ndër vlerësimet më të larta në historikun e ATK-së.
Pra përderisa në raportin e fundit të FMN-së të publikuar në janar 2023, ATK-ja vlerësohej si vend lider në Ballkanin Perëndimor për rritje të të hyrave tatimore, ndërsa në vlerësimin e vitit 2024 i cili ende është si draft raport dhe pritet që shumë shpejt të bëhet publik, ATK-ja sipas matjeve të ISORA-s, rezulton se nga 8 indikatorët matës të administratave tatimore në gjithë botën, 7 nga 8 këta indikatorë ATK-ja është më mirë se administratat tatimore të vendeve në zhvillim, ndërsa në 5 nga 8 indikatorët është tek mesatarja e vendeve të zhvilluara (përfshirë vendet e BE-së)”.
Përveç shumë rezultateve që u përmend në konferencë, drejtori i ATK-së z. Murtezaj tregoi që nga 28,173 aktivitete operacionale që janë realizuar, kanë rezultuar me mbi 5 milionë euro gjoba, si dhe nga mbi 10 mijë inspektime dhe kontrolla të përfunduara kanë dhënë 73.9 milionë euro tatime, ndëshkim dhe interes.
Ai tha se si shkak i interesimit të madh të opinionit publik përmendi përmirësimin e përmbushjes tatimore nga ana e këngëtarëve të cilët nga 2.7 milionë që ishin pagesat në vitin 2023, këtë vit kanë deklaruar dhe paguar 3.2 milionë euro. Ndërsa, sektori i gastronomisë dhe hotelerisë nga 27.1 milionë euro ka rritur deklarimin në 30.7 milionë euro.
Në fund të konferencës, drejtori theksoi përkushtimin e ATK-së për të vazhduar me projekte të reja që synojnë përmirësimin e shërbimeve për tatimpaguesit dhe rritjen e të hyrave publike, duke përmbushur kështu misionin e saj për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Administrata Tatimore e Kosovës falënderon të gjithë tatimpaguesit për bashkëpunimin dhe zbatimin e përgjegjësive tatimore, duke u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një sistemi më të drejtë dhe të qëndrueshëm tatimor.
