Administrata Tatimore e Kosovës në tremujorin e parë të këtij viti, ka grumbulluar të hyra në vlerë prej 84 mil euro,apo 12% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014.
Me këtë trend të të hyrave, ATK është në rrugë të mirë për realizimin e objektivave operative dhe strategjike.
Përgjatë këtij tremujori, ATK-ja ka zhvilluar aktivitete mjaft të rëndësishme të cilat kanë rol të veçantë në realizimin e misionit dhe vizionit të saj si një administratë moderne. Gjatë muajit mars është funksionalizuar Sistemi i Ri Elektronik Tatimor EDI, i cili është më i avancuar, më i përshtatshëm për aplikim në të cilin janë përfshirë veçori të reja, të cilat do të lehtësojnë deklarimin dhe pagesën e tatimeve.
Administrata Tatimore ka vazhduar me realizimin e seminareve në të gjitha regjionet, përmes së cilëve tatimpaguesit kanë mundësi të njoftohen për së afërmi me risitë në sistemin tatimor.
Janë mbajtur 9 seminare me tatimpagues nëpër të gjitha zyrat regjionale (me mbi një mijë pjesëmarrës): Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këto seminare, ishin:
- Deklarimi Vjetor nga Bizneset Individuale – PD
- Deklarimi Vjetor nga Korporatat – CD
- Deklarimi Vjetor nga Ortakëritë – DO
- Raportimi i blerjeve mbi 500 €
- Tatimi i Mbajtur në Burim
- Lehtësitë në deklarimin dhe pagesën e tatimeve – Sistemi i Ri Elektronik – EDI.
Sa i përket modernizimit të sistemit të ri të IT-së, gjatë kësaj periudhe janë finalizuar proceset e punës të identifikuara, dokumentuara dhe të modifikuara të cilat si procese të moderuara veç janë përfunduar. Në këtë fazë konsiderohet se të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit të zëvendësimit të sistemit të TI-së janë të përfunduara.
ATK është duke finalizuar Planin Strategjik 2015-2020, ku do të përcaktohen prioritetet e saj për pesë vitet e ardhshme.
Përkundër vështirësive që sfidojnë, ATK është e vendosur të vazhdojë me përkushtimin më të madh të realizojë suksese të mëtutjeshme në misionin e saj, mbledhjen e të hyrave duke respektuar kornizat ligjore.
ATK-ja, në vazhdimësi do të bëj përpjekje në ngritjen e përmbushjes vullnetare, duke ofruar shërbime profesionale, transparente dhe efektive, në zbatim të drejtë dhe të njëllojshëm të ligjeve tatimore.