Prishtinë: 15 Shkurt 2011, Administrata Tatimore e Kosovës, – Drejtorati i Lojërave të Fatit me asistim të Policisë së Kosovës-Njësia e Krimeve Ekonomike, Inspektoriatit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Inspektoriatit Komunal të Ferizajt, prej datës 31.01.2011 deri më 08.02.2011, kanë zhvilluar aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të pa licencuara që merren me aktivitete të Lojërave të Fatit (LF) në Regjionin e Ferizajt, ku përfshihen Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, si dhe Komuna e Shtërpcës.
Aksioni i tillë është ndërmarrë si rezultat i bashkëpunimit në mes të ATK-së, PK-së, MTI-së dhe Inspektoriatit Komunal me të vetmin qëllim, zbatimin e plotë të Ligjit Nr. 2004/35, për Lojërat e Fatit.
Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 26 (njëzetegjashtë) subjekteve të Lojërave të Fatit në Regjionin e Ferizajt dhe nga ana e Policisë, janë konfiskuar aparatura të ndryshme.
Aktivitete të tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, PK-së, MTI-së, dhe Inspektoriatit Komunal, janë planifikuar të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke mbuluar kështu gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar dhe e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të Ligjit për Lojërat e Fatit, me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori të subjekteve ekonomike.
Gjithashtu, ATK-ja, ka për synim që të ngritë shkallën e bashkëpunimit me shumë institucione të tjera që merren me zbatim të ligjit, në mënyrë që sa më shumë të ndikojë në uljen e ekonomisë informale.
Administrata Tatimore e Kosovës