Sot, Administrata Tatimore e Kosovës organizoi seminarin e radhës në Prishtinë, në kuadër të ciklit informues për Deklarimin Vjetor të Tatimeve dhe raportimin e Pasqyrave Financiare, që po zhvillohen në disa regjione të vendit.


Seminarin e hapi Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, i cili theksoi rëndësinë e informimit, transparencës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Administratës Tatimore, bizneseve dhe qytetarëve.
Gjatë seminarit:
- U ofruan udhëzime konkrete për deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhura Personale dhe Tatimit në të Ardhura të Korporatave.
- U sqaruan detyrimet ligjore për raportim financiar sipas legjislacionit në fuqi.
- Pjesëmarrësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje direkte nga përfaqësuesit e ATK-së.
Drejtoresha për Regjistrim dhe Shërbim të Tatimpaguesve, Zana Bucaliu, ofroi informacione të detajuara mbi procedurat dhe afatet, ndërsa kontabilistja dhe auditorja e certifikuar Elvira Ibrahimi Hoti theksoi rolin kyç të profesionistëve financiarë në rritjen e transparencës fiskale.


Gjithashtu, prezantimi mbi përgatitjen dhe prezantimin e pasqyrave financiare u realizua nga përfaqësuesja e KKRF-së, Diellza Xhema, e cila vuri theksin në rëndësinë e raportimit të saktë dhe në përputhje me standardet ligjore në fuqi.
Seminaret e radhës do të mbahen në Prizren, Pejë dhe Ferizaj.
Afati për deklarimin vjetor të tatimeve është 31 mars 2026.



