Administrata Tatimore e Kosovës ka realizuar një seri seminaresh informuese për tatimpaguesit në disa regjione, me qëllim të rritjes së transparencës dhe ndërgjegjësimit për përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Dje, në Prishtinë, Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar ka mbajtur seminarin informues me tatimpagues, i cili është vazhdimësi e pesë seminareve të mbajtura në regjionet e Kosovës, i fokusuar në deklarimin vjetor dheraportimin e pasqyrave financiare. Ky seminar kishte për qëllim të ofronte udhëzime dhe qartësi mbi obligimet tatimore, duke ndihmuar bizneset dhe individët në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Në këtë seminar ishte i pranishëm edhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ATK-së z. Sami Salihu, i cili falënderoi tatimpaguesit për interesimin e tyre dhe për pjesëmarrjen aktive. Ai theksoi rëndësinë e komunikimit të hapur dhe konstruktiv mes ATK-së dhe tatimpaguesve, duke theksuarse seminaret e tilla janë një mundësi e mirë për të adresuar sfidat, për të marrë informata të sakta dhe për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm.
Gjatë seminarit, zyrtarët e ATK-së dhe zyrtarët e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar prezantuan informacionet më të fundit mbi legjislacionin tatimor dhe legjislacionin për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, procesin e deklarimit dhe pagesës së tatimeve, si dhe raportimin e pasqyrave financiare.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë dhe të shtrojnë pyetje mbi çështjet që i prekin drejtpërdrejt, duke kontribuar në një dialog të frytshëm dhe interaktiv, ku për të gjitha pyetjet e tyre morën përgjigje nga zyrtarët e ATK-së dhe KKRF-së.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes dhe informimit të vazhdueshëm për tatimpaguesit dhe i inkurajon ata të shfrytëzojnë këto mundësi për njëpërmbushje më të lehtë dhe më të drejtë të detyrimeve tatimore.