Qëllimi i mbajtjes së këtyre seminareve ishte prezantimi i mënyrës së deklarimit vjetor, duke përfshirë: deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat Personale, deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, deklarimin e të Ardhurave nga Ortakëritë, Raportimin e Blerjeve mbi 500€, Tatimin e Mbajtur në Burim dhe Informimi i tatimpaguesve për Sistemin e Ri Elektronik – EDI, i cili së shpejti do të jetë në përdorim nga tatimpaguesit.
Tatimpaguesit, u njoftuan gjerësisht për mënyrën e deklarimit vjetor të Formularëve PD, CD, DO, me ç‘rast janë pasqyruar edhe shembujt praktik për plotësimin e drejtë të këtyre deklaratave.
Gjithashtu, edhe për Raportimin e blerjeve mbi 500 euro dhe Tatimin e Mbajtur në Burim, janë shpalosur shembuj të ndryshëm, në mënyrë që të eliminohen gabimet gjatë aplikimit të këtyre proceseve.
Njëherit, tatimpaguesit u informuan për risit e Sistemit të Ri Elektronik – EDI, i cili së shpejti do të jetë në përdorim nga tatimpaguesit. Sistemi i Ri Elektronik EDI do të ofroj më shumë mundësi dhe lehtësira për tatimpaguesit me qëllim të përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore nga ana e tyre.
Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate.
Pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese nga ATK, si: Doracak me pyetje përgjigje, Fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin Tatimor, Udhëzues mbi paraqitjen e informacioneve mbi Evazionin tatimor, Korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, “Avokati i Tatimpaguesve“, “Qendra e Thirrjeve”, gjithashtu janë shpërndarë edhe Kalendar Tatimor 2015, në të cilin përfshihen afatet e dorëzimit të deklaratave dhe llojet e tatimeve, etj.
Në këto seminare numri i të interesuarve ishte mjaft i lartë, ku pjesëmarrës ishin: tatimpaguesit, organizata biznesi, OJQ apo përfaqësues të tyre, si dhe përfaqësues të njësive të përhershme, kontabilist dhe qytetarë të interesuar.
Materiali i prezantuar në këto seminare, është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org tek linku Multimedia – Materiale & Prezantime.