Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Raportime 0800 80 800

KOMUNIKATË PËR MEDIA – Bashkëpunim për një të ardhme tatimore më të përgjegjshme – ATK me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina”

Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me GIZ – Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, ka organizuar punëtorinë me temën: Psikologjia e Pagesës së Tatimeve: Shtytja bihevioriste dhe përmbushja vullnetare, me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Psikologjisë nga Universiteti “Hasan Prishtina”.

 

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me GIZ-in si partner strategjik, veçanërisht në proceset e edukimit dhe informimit të hershëm për përmbushjen vullnetare të tatimeve. “Studentët janë potencial i jashtëzakonshëm për të sjellë një revolucion të shpejtë në digjitalizimin e procedurave dhe për të ofruar një këndvështrim të ri mbi kulturën tatimore. Ky brez premton shumë në ndërtimin e një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe më të përgjegjshme tatimore,” tha Hyseni.

 

Nga ana tjetër, Vanessa Sabelski, drejtuese në GIZ, u shpreh se mbështetja e shtetit gjerman përmes kësaj organizate është kënaqësi e veçantë, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin shumëvjeçar me ATK-në. “Është inkurajuese të shohim kontributin që kemi dhënë në fuqizimin e një institucioni i cili po rritet çdo ditë në performancë dhe në ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët,” theksoi Sabelski.

 

Në këtë punëtori, studentët shfaqën interes të veçantë dhe parashtruan pyetje rreth procesit të përmbushjes tatimore, duke theksuar rolin e tyre si gjenerata e ardhshme në përhapjen e kulturës së pagesës së tatimeve.

 

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet akademike të avancojë edukimin fiskal, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi për një kulturë tatimore të qëndrueshme dhe të bazuar në përmbushje vullnetare.