Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me organizatën Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve ka përmbyllur sot fushatën 5 ditore për sensibilizimin e formalizmit të punësimit.
Kampanja në fjalë është realizuar në qytete të ndryshme, ku fokusi kryesor ishte që qytetarët të njoftohen me rendësin e të qenit të regjistruar si punëtor, si dhe përfitimet nga formalizmi. Po ashtu, gjatë këtyre takimeve i është dhënë theks i veçantë zhvillimit të dialogut social, si faktor shumë i rëndësishëm në këtë segment.
Gjatë diskutimeve që u zhvilluan për këto pesë ditë, pjesëmarrësit ngritën shqetësimet e tyre kryesisht në pjesën e mos regjistrimit, mos respektimit të kushteve, punësimi i të rinjve nën moshën e lejuar me ligj dhe shumë të tjera të cilat kryesisht lidhen me temën e fushatës. Veç tjerash pjesëmarrësit u njoftuan edhe me mekanizmat që kanë në dispozicion nga ana e ATK-së për të raportuar rastet kur ata dyshojnë se nuk janë të regjistruar-konkretisht ata u njoftuan me veglën për verifikim të punëtoreve https://apps.atk-ks.org/regemployer si dhe linjën për raportim 0800 80 800.
ATK është duke implementuar projektin për Formalizmin e Punësimit nga viti 2021, ndërsa fushata është realizuar në kuadër të projektit “Drejt drejtësisë dhe barazisë sociale” përmes Human Rightivism, që mbështetet nga ambasada e Suedisë në Kosovës nëpërmjet Fondit për Zhvillim Komunitar-CDF.