Hapja e të dhënave është çelës për çdo institucion e organizatë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Administrata Tatimore e Kosovës çdo herë ka qenë e fokusuar përmes planeve strategjike në rritjen e mekanizmave, të cilët qojnë përpara integritetin e institucionit. Iniciativa për hapjen e të dhënave kontribuon direkt në zhvillimin demokratik të një institucioni, si dhe zhvillimin e një segmenti ekonomik në nivel inovativ.
ATK nga viti i kaluar ka punuar në kategorizimin e të dhënave, të cilat duhet të publikohen për qytetarët dhe të cilat duhet të jenë lehtë të qasshëme. Sot në web-faqen e institucionit https://www.atk-ks.org/open-data/ është publikuar dataseti më i ri për Qarkullimin e Bizneseve 2018-2022. Brenda këtij dataseti janë të ndara të dhënat e qarkullimit të bizneseve për vit, muaj, sektor, komunë, status i biznesit, numri tatimpaguesëve dhe qarkullimi në euro.
Dataseti i qarkullimit të bizneseve shënon publikimin e katërt me radhë në Open Data, të publikuara janë statistika të projektit të fiskalizimit, gjobat nga raportimet e qytetarëve, si dhe vendimet e ATK-së ndaj ankesave të tatimpaguesëve.
Publikimi i të dhënave të hapura nga ana e ATK-së do t’i ndihmojë qytetarët / organizata të ndryshme që të njoftohen më shumë rreth tatimeve dhe t’i përdorin ato të dhëna për analiza të ndryshme. Gjithashtu, kjo do të ndihmojë në informimin e opinionit publik në lidhje me krahasimin e zhvillimit të ATK-së ndër vite, me publikimin e materialeve krahasuese dhe të informatave të tjera relevante.