Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat të cilët janë Deklarues të TVSH-së se, në bazë të Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, janë të detyruar të aplikojnë saktë Normën e TVSH-së në furnizimet e tyre, si: furnizim të mallrave dhe/apo furnizim të shërbimeve.
Deklaruesit e TVSH-së duhet të deklarojnë saktë furnizimet e tyre duke aplikuar Normën e TVSH-së në përputhje me Ligjin e TVSH-së, si:
- Shitjet e liruara pa të drejtë kreditimi;
- Shitjet e liruara me të drejtë kreditimi;
- Eksportet;
- Shitjet e tatueshme me normën 18%;
- Shitjet e tatueshme me normën 8%.
Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi do të përqendrohen tek tatimpaguesit – Deklarues të TVSH-së, me qëllim të identifikimit të atyre tatimpaguesve, të cilët nuk janë duke aplikuar saktë Normën e TVSH-së.
Tatimpaguesit të cilët nuk janë duke e zbatuar këtë obligim, ATK bënë thirrje që, me rastin e furnizimit të mallrave/shërbimeve të aplikojnë saktë Normën e TVSH-së, në mënyrë që edhe konsumatorët/klientët të ngarkohen me TVSH në përputhje me legjislacionin për TVSH.
Administrata Tatimore e Kosovës inkurajon të gjithë tatimpaguesit – Deklarues të TVSH-së që t’u përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.
Administrata Tatimore e Kosovës