Të nderuar tatimpagues,
Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se duke filluar nga 1 Janari 2025 ka funksionalizuar shërbimin e ri të aplikimit të Certifikatave të Rezidencës Tatimore ( tutje CRT) në mënyrë elektronike.
Certifikata e Rezidencës Tatimore është një dokument zyrtar që konfirmon vendbanimin për qëllime tatimore të një individi apo biznesi. Ky dokument është thelbësor për:
- Eliminimin e tatimit të dyfishtë për tatimpaguesit që realizojnë të hyra jashtë vendit;
- Mundësimin e lehtësirave tatimore në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht me vendet me të cilat Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë (METD);
- Njohjen dhe respektimin e detyrimeve dhe të drejtave tatimore të tatimpaguesve të Kosovës në vendet e tjera.
Ky shërbim i ri ka për qëllim lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe efikase për tu pajisur me Certifikatën e Rezidencës Tatimore.
Për të aplikuar për Certifikatën e Rezidencës Tatimore online, ju duhet ti ndiqni hapat e mëposhtëm:
- Hyni në web faqen tonë zyrtare (https://www.atk-ks.org);
- Tek shërbimet elektronike, duhet të kyçeni tek Deklarimi Elektronik ( e-deklarimi) dhe të kërkoni se cilin shërbim elektronik doni të kryeni;
- Plotësoni formularin e aplikimit për CRT, duke dhënë informacionet e kërkuara;
- Dërgoni aplikimin dhe prisni konfirmimin në emailin tuaj.
Pasi aplikimi juaj të jetë verifikuar, do të analizohet nga zyrtarët e Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe do të njoftoheni në formë elektronike kur Certifikata e Rezidencës Tatimore do të jetë e gatshme për ta tërhequr.
ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve!