Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të deklarojnë dhe të paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2023, ATK ka hartuar Planin e Veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore të personave të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e tyre personale dhe të cilët nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore për Tatimin në të Ardhurat Personale (TAP), të cilat i përcakton legjislacioni tatimor. Përmes këtij plani, ATK do të kryejë aktivitete me qëllim të identifikimit të personave të cilët nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Qëllimi i projektit është:
- Përmirësimi i përmbushjes tatimore nga aspekti i Tatimit në të Ardhura Personale, respektivisht rritja e të hyrave nga Tatimi në të Ardhurat Personale;
- Ulja e hendekut tatimor;
- Rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare.
Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të deklaroni dhe të paguani saktë tatimin, në të kundërtën, do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.
Paguaj tatimin, fuqizo shtetin!
Administrata Tatimore e Kosovës