Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjithë tatimpaguesve se në bazë të Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit.
Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa dokumentacion.
Secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit.
Po ashtu, secili tatimpagues duhet të dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit (qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera) deri sa ato të jenë shitur apo ndryshe të jenë sistemuar, përfshirë dokumentacionin e shitjes apo sistemim tjetër.
Administrata Tatimore e Kosovës inkurajon të gjithë tatimpaguesit që t’iu përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare, siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.
Administrata Tatimore e Kosovës