Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjithë tatimpaguesve të cilët janë deklarues të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar se janë të obliguar që për çdo muaj të deklarojnë Librin e Blerjes dhe Librin e Shitjes, përmes Sistemit Elektronik EDI.
Po ashtu, ATK ua rikujton edhe të gjithë tatimpaguesve tjerë, të cilët nuk janë deklarues të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar se janë të obliguar që për çdo tre muaj të deklarojnë Librin e Blerjes dhe Librin e Shitjes, përmes Sistemit Elektronik EDI.
Libri i Blerjes dhe Libri i Shitjes, që kërkohet të deklarohen në baza mujore nga tatimpaguesit -deklaruesit e TVSH-së, duhet të deklarohen nga data 01 deri me 20 të muajit vijues, pra librat do të deklarohen në periudhën kur dorëzohet edhe Deklarata e TVSH-së.
Ndërsa, Libri i Blerjes dhe Libri i Shitjes, që kërkohet të deklarohen në baza tremujore nga tatimpaguesit që nuk janë deklarues të TVSH-së, përfshirë OJQ-të, duhet të deklarohen nga data 01 deri me 15 të muajit vijues pas tremujorit, pra librat do të deklarohen në periudhën kur dorëzohet edhe Deklarata tremujore, si: “IS”, “QS”, etj.
Sa ju përket të dhënave, të cilat duhet të plotësohen në Librin e Blerjes dhe Librin e Shitjes, si dhe Udhëzuesit për plotësimin e tyre, referohuni në mostrën e publikuar në ueb-faqen e ATK-së: www.atk-ks.org te linku Shërbime Elektronike – Libri i Blerjes dhe i Shitjes: https://www.atk-ks.org/librat-e-blerjes-dhe-te-shitjes/
Administrata Tatimore e Kosovës