Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Raportime 0800 80 800

Njoftim për Tatimpagues – Deklaro dhe paguaj tatimin për të ardhurat nga fitimi kapital

Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë tatimpaguesit se të ardhurat e realizuara nga fitimet kapitale konsiderohen të ardhura të tatueshme të cilat duhet të deklarohen, si dhe të  paguhet tatimi në përputhje me obligimet ligjore.

 

Fitimet kapitale përfshijnë çdo fitim të realizuar nga shitja ose tjetërsimi i pasurisë kapitale, si pasuri të paluajtshme (tokë, ndërtesë) apo të luajtshme (automjete, pajisje), por edhe nga letrat me vlerë, aksionet, pjesëmarrjet në biznese, si dhe nga aktivitetet financiare si tregtia me kriptovaluta dhe platformat online të tregtimit digjital.

 

Çdo person fizik jo afarist apo biznes që realizon fitim nga këto transaksione është i detyruar të deklarojë të ardhurat e fituara dhe të paguajë tatimin përkatës. Tatimi paguhet mbi fitimin neto, që nënkupton diferencën ndërmjet çmimit të shitjes dhe kostos së blerjes ose investimit fillestar.

 

Administrata Tatimore e Kosovës në vazhdimësi do të aplikoj masa për identifikimin e personave që realizojnë fitime nga këto burime, përfshirë tregtinë e kriptovalutave dhe investimet online, në mënyrë që të sigurohet deklarim i drejtë dhe mbledhje e rregullt e tatimeve. Të gjitha të ardhurat nga këto veprimtari, pavarësisht nga mënyra ose platforma përmes së cilës realizohen, janë pjesë e të ardhurave të tatueshme që duhet të deklarohen.

 

Mosdeklarimi i fitimeve kapitale përbën shkelje të obligimeve tatimore dhe mund të sjellë pasoja ligjore.

 

Administrata Tatimore e Kosovës inkurajon të gjithë tatimpaguesit që të jenë transparentë dhe të deklarojnë të ardhurat që realizojnë nga çdo burim, përfshirë fitimet kapitale, sepse Deklarimi i rregullt i fitimeve kapitale është pjesë thelbësore e përmbushjes tatimore dhe ndihmon në krijimin e një sistemi më të barabartë dhe transparent për të gjithë tatimpaguesit.

 

Pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend!

 Administrata Tatimore e Kosovës