Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjitha bizneseve të cilat merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor, ATK-ja nuk i njeh transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset jo-aktive.
Transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset jo-aktive, gjegjësisht shpenzimet në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe kërkesat për kreditim të zbritshëm në një deklaratë të TVSH-së, nuk do të njihen nga ATK-ja.
Njëherësh, ATK-ja ju njofton se aktivitetet e saj, do të përqendrohen te bizneset, të cilat zhvillojnë transaksione fiktive dhe te bizneset jo-aktive që funksionojnë në mënyrë jo të rregullt, për të cilat do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.
Administrata Tatimore e Kosovës, ju bën thirrje të gjitha bizneseve, që para se të hyjnë në transaksione afariste të bëjnë verifikimin e bizneseve jo-aktive, të cilat i gjeni në ueb faqen: www.atk-ks.org në linkun: https://www.atk-ks.org/portfolio/tatimpaguesit-jo-aktiv/.
Çdo herë kur ATK-ja gjatë verifikimit të dokumentacionit identifikon ndonjë transaksion/ faturë fiktive, pavarësisht se a është biznesi që ka lidhur transaksionin/lëshuar faturën i publikuar në ueb-faqe të ATK-së apo jo, ai transaksion / ajo faturë nuk do të pranohet për qëllime të njohjes së shpenzimeve në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe nuk do të pranohet për qëllime të njohjes së TVSH-së së zbritshme.
Po ashtu, për të dy bizneset, si për biznesin i cili e ka lëshuar faturën për transaksionin fiktiv, ashtu edhe për biznesin që e ka pranuar faturën për transaksionin fiktiv, ATK-ja do të ndërmarrë masat e përcaktuara me Legjislacionin në fuqi.
Është detyrë e çdo tatimpaguesi që të respektoj dhe të zbatoj dispozitat e legjislacionit tatimor të aplikueshëm.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.
Administrata Tatimore e Kosovës