Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Raportime 0800 80 800

Njoftim për Tatimpaguesit Borxhlinj – Mos prisni! Përfitoni lehtësime para se borxhi të shkojë në procedura

Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë tatimpaguesit borxhlinj se ka hyrë në fuqi Rregullorja e Brendshme për Procedurat e Organizimit dhe Funksionimit të Menaxhimit të Mbledhjes së Borxheve, me qëllim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe trajtimit të drejtë e proporcional të të gjitha rasteve të borxheve tatimore.

 

Në bazë të kësaj Rregulloreje, procesi i menaxhimit dhe mbledhjes së borxheve tatimore do të zhvillohet në mënyrë të strukturuar, përmes divizioneve përkatëse të ATK-së, duke synuar nxitjen e pagesës vullnetare, komunikimin e hershëm me tatimpaguesit dhe ofrimin e mundësive për përmbushjen e obligimeve tatimore.

 

Mundësia për pagesë me këste dhe përfitimet për tatimpaguesit

ATK inkurajon tatimpaguesit të cilët kanë vështirësi financiare, por shprehin gatishmëri për përmbushjen e obligimeve tatimore, që të aplikojnë për marrëveshje për pagesë të borxhit me këste gjatë fazës së trajtimit në Divizionin për Shërbime Mbështetëse dhe Mbledhjen e Borxheve.

Tatimpaguesit që trajtohen në këtë fazë përfitojnë:

  • kushte më të favorshme për pagesën e borxhit;
  • fleksibilitet në pagesë;
  • shmangie të masave të sforcuara;
  • mundësi më të madhe për zbritje të gjobave.

 

Masat ndaj tatimpaguesve që nuk bashkëpunojnë

Tatimpaguesit të cilët nuk e paguajnë borxhin dhe nuk lidhin marrëveshje për pagesë të borxhit me këste me ATK-në, do të transferohen automatikisht në Divizionin për Masa të Sforcuara të Mbledhjes. Në këtë fazë mund të ndërmerren masa detyruese ligjore, përfshirë:

  • konfiskimin e pasurisë;
  • shitjen e pasurisë së konfiskuar;
  • veprime të tjera të parashikuara me legjislacionin tatimor në fuqi.

Nëse tatimpaguesi kërkon lidhjen e marrëveshjes për pagesë të borxhit me këste pasi rasti të ketë kaluar në këtë Divizion, ai/ajo duhet të paguajë minimum 40% të borxhit tatimor të papaguar.

 

Përfitimet nga pagesa vullnetare

ATK rikujton se përmbushja me kohë e obligimeve tatimore sjell përfitime të drejtpërdrejta për tatimpaguesit:

  • Tatimpaguesi që bën pagesë të njëhershme të detyrimit tatimor (bazës dhe interesit) përfiton zbritje të gjobave prej 70%;
  • Tatimpaguesi që respekton marrëveshjen për pagesë të borxhit me këste përfiton zbritje të gjobave prej 50%.

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje, këshillim dhe trajtim të drejtë për të gjithë tatimpaguesit, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe sigurimin e barazisë fiskale.

 

Zgjidh pagesën vullnetare, fito lehtësime dhe qetësi!

Administrata Tatimore e Kosovës