Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton edhe një herë të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.
Në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK do të shtojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
ATK u bën thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përpara se të identifikohen nga inspektorët tatimorë.
Vëmendje:
Në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, ATK, në përputhje me Ligjin në fuqi, do të ndërmarrë pa përjashtim këto veprime:
- Regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me Numër Fiskal;
- Aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara.
Regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në një konkurrencë të drejtë në treg.
Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mospërditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë.
Regjistrohu sot – mos prit inspektimin!
Bëhu pjesë e ekonomisë formale.
Administrata Tatimore e Kosovës