Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Informata të përgjithshme për tatimet në Kosovë

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Tatimi në të Ardhura Personale
Tatimi në të Ardhurat e Korporatave

 

 

Përgjegjësi e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si Agjencion Ekzekutiv me Autonomi të plotë operacionale, është
që të administrojë zbatueshmërinë e çdo lloji të tatimit të aplikuar me legjislacion tatimor në Republikën e Kosovës.

Misioni i ATK-së është ngritja e nivelit më të lartë të përmbushjes vullnetare në përputhje me legjislacionin tatimor në
fuqi, si dhe ofrimi i shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive për tatimpagues.

Administrata Tatimore e Kosovës është përgjegjëse për inkasimin e tatimeve qendrore qeveritare ku bëjnë pjesë:

  • Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në furnizimet e brendshme;
  • Tatimi në të Ardhurat Personale;
  • Tatimi në të Ardhurat e Korporatave;
  • Tatimet e mbajtura në burim;
  • Kontributet Pensionale;

Ky dokument bazohet në Ligjet dhe Udhëzimet relevante në fuqi, si:

Nr. Emri i Ligjit Nr. i Ligjit Nr. i Udhëzimit Administrativ
1
Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore
Nr. 08/L-257
2
Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – TVSH
Nr. 05/L-037
Nr. 03/2015
Nr. 06/2016
3
Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale – TAP
Nr. 05/L-028
Nr. 01/2016
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e
ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore
Nr. 08/L-142
4
Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave – TAK
Nr. 06/L-105
5
Ligji për Kontributet Pensionale – KP
Nr. 04/L-101
Nr. 04/L-168
Nr. 05/L-116

 

Të gjitha Ligjet dhe Udhëzimet e lartshënuara, mund t’i gjeni në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në linkun: https://gzk.rks-gov.net/default.aspx

 

Normat tatimore në Kosovë:

Lloji i tatimit Qarkullimi Norma
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar – TVSH
Mbi 30,000 euro
8% dhe 18%
Tatimi në të Ardhurat e Korporatave – TAK
Nën pragun për tatuarje reale (30,000 euro)
  • Veprimtaria prodhuese, tregtare dhe transportuese etj.
3%
  • Veprimtaria shërbyese
9%
Tatimi në të Ardhurat e Korporatave – TAK
Mbi pragun për tatuarje reale (30,000 euro)
10%
Tatimi në të Ardhurat Personale – TAP
Nën pragun për tatuarje reale (50,000 euro)
  • Veprimtaria prodhuese, tregtare dhe transportuese, etj.
3%
  • Veprimtaria shërbyese
9%
Tatimi në të Ardhurat Personale – TAP
Mbi pragun për tatuarje reale (50,000 euro)
  • Të ardhurat Vjetore nga 0 deri 3,000.00
0%
  • Të ardhurat Vjetore nga 3,000.01 deri 5,400.00
8%
  • Të ardhurat Vjetore nga 5,400.01 e tutje
10%
Tatimi i mbajtur në burim në Paga (mujor)
  • Të ardhurat mujore nga 0 deri 250.00
0%
  • Të ardhurat mujore nga 250.01 – 450.00
8%
  • Të ardhurat mujore nga 450.01 e tutje
10%
Tatimi në Qira
10%
Tatimi i mbajtur në burim në qira
9%
Tatimi i mbajtur në burim në interes
10%
Tatimi i mbajtur në burim në të drejta pronësore
10%
Tatimi i mbajtur në burim për kategori të veçanta
Varësisht nga statusi i biznesit
1% ose 3%
Tatimi i mbajtur në burim për jo-rezidentët
5% apo METD

 

Kërkesat e përmbushjes së detyrimeve tatimore

Personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, në bazë të legjislacionit tatimor, janë të obliguar të:

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar

Për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), person i tatueshëm është secili person i cili është, ose kërkohet që
të regjistrohet për TVSH, dhe i cili në mënyrë të pavarur zhvillon një aktivitet ekonomik në mënyrë të rregullt apo jo
të rregullt, pavarësisht nga qëllimi ose rezultati i atij aktiviteti ekonomik.

Çdo person që i përmbush të gjitha kushtet e përkufizimit mbi personin e tatueshëm, kërkohet që të regjistrohet për
TVSH, nëse brenda vitit kalendarik tejkalon qarkullimin prej tridhjetëmijë euro (30.000€).

TVSH është e përshkallëzuar në dy norma, atë standarde prej 18% dhe normën e reduktuar prej 8%, të vlerës së furnizimeve
të importuara dhe furnizimeve të brendshme të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të liruara dhe furnizimeve të
trajtuara si eksporte.

Një transaksion është objekt i tatuarjes për TVSH në Kosovë, nëse është furnizim malli ose furnizim shërbimi, i kryer
kundrejt pagesës, brenda territorit të Kosovës, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë. Gjithashtu, importi i
mallrave është objekt i tatuarjes për TVSH.

 

Tatimi në të Ardhurat Personale

Tatimi në të Ardhurat Personale aplikohet në të gjitha të ardhurat që pranon një individ të cilat janë të tatueshme në
bazë të Ligjit për Tatim në të Ardhurat Personale. Tatimpagues janë personat fizikë rezident dhe jo rezident, ndërmarrja
personale afariste, ortakëritë dhe shoqëritë, të cilët pranojnë ose krijojnë të ardhura bruto nga çfarëdo burimi, duke
përfshirë pagën, veprimtarinë afariste, qiranë, fitoret në lotari, interesat, fitimet kapitale, shfrytëzimin e pasurisë
së paprekshme, si dhe çdo të ardhur tjetër që rritë vlerën neto të tatimpaguesit.

Objekt i tatimit për tatimpaguesin rezident janë të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë dhe jashtë Kosovës, ndërsa
për tatimpaguesin jo rezident janë vetëm të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë.

Të ardhura të tatueshme për një periudhë tatimore konsiderohet ndryshimi në mes të të ardhurave bruto të pranuara apo të
rrjedhura gjatë një periudhe tatimore dhe zbritjeve të lejuara në lidhje me ato të ardhura bruto.

 

Norma tatimore për Tatim në të Ardhura Personale:

Norma tatimore Të ardhurat mujore Të ardhurat vjetore
0% 0 deri 250.00 0 deri 3,000.00
8% 250.01 deri 450.00 3,000.01 deri 5,400.00
10% 450.01 e tutje 5,400.01 e tutje

 

Tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore mbi 50,000€ dhe ata të cilët kanë përzgjedhur vullnetarisht të tatohen në të
ardhura reale, tatohen sipas shkallëve tatimore të lartcekura, ndërsa tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore prej
50,000€ apo më pak, tatohen në të ardhurat bruto me 3% (për veprimtaritë: tregti, transport, bujqësi dhe veprimtari të
ngjashme komerciale) apo 9% (për veprimtaritë: shërbyese,  profesionale, të zanatit, të argëtimit dhe të ngjashme).
Përveç tatimit, këta tatimpagues (të vetëpunësuar) obligohen të paguajnë edhe Kontributin Pensional.

Pagat e të punësuarve nga punëdhënësi primar tatohen sipas shkallëve tatimore (0%; 8% dhe 10%), ndërsa pagat e të
punësuarve nga punëdhënësi sekondar tatohen me 10%.

Secili i punësuar, shtetas i Kosovës obligohet që nga paga bruto të paguaj 5% në emër të Kontributit Pensional. Po
ashtu, punëdhënësi kryesor dhe ai sekondar për të punësuarit të cilët janë shtetas të Kosovës, kontribuon me 5% mbi
pagën bruto të të punësuarit në emër të kontributit pensional.

 

Tatimi në të Ardhurat e Korporatave

Tatimi në të Ardhurat e Korporatave aplikohet në të gjitha të ardhurat e tatueshme të korporatave. Tatimpagues
konsiderohen: Korporata apo ndonjë ndërmarrje tjetër afariste që ka statusin e personit juridik sipas ligjit në fuqi në
Kosovë; Shoqëria tregtare që vepron me pasuri në pronësi shoqërore ose publike; Organizata e regjistruar si organizatë
jo-qeveritare; Personi jo rezident me njësi të përhershme në Kosovë.

Objekt i tatimit për tatimpaguesin rezident janë të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë dhe jashtë Kosovës, ndërsa
për tatimpaguesin jo rezident janë vetëm të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë.

Tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore mbi 30,000€ dhe ata të cilët kanë përzgjedhur vullnetarisht të tatohen në të
ardhura reale, tatohen me normën 10%, ndërsa tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore prej 30,000€ apo më pak, tatohen
në të ardhurat bruto me 3% (për veprimtaritë: tregti, transport, bujqësi dhe veprimtari të ngjashme komerciale) apo 9%
(për veprimtaritë: shërbyese,  profesionale, të zanatit, të argëtimit dhe të ngjashme).

Për tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore mbi 30,000€ dhe ata të cilët kanë përzgjedhur vullnetarisht të tatohen në
të ardhura reale, të ardhura të tatueshme për një periudhë tatimore konsiderohet ndryshimi në mes të të ardhurave bruto
të pranuara apo të rrjedhura gjatë një periudhe tatimore dhe zbritjeve të lejuara në lidhje me ato të ardhura bruto.

 

Afatet e deklarimit dhe pagesës së tatimeve:

Nr. Emërtimi i Formularit Shkurtesa Afati i deklarimit
1 Formulari i deklarimit dhe pagesës së TVSH TV Prej 1 deri 20 të çdo muaji
2 Pasqyra mujore e tatimit në burim në paga dhe kontribute pensionale WM/CM Prej 1 deri 15 të çdo muaji
3 Pasqyra mujore e mbajtjes në burim dhe pagesës së tatimit në interes, të drejtat pronësore, qira, fitore në lotari dhe lojëra të fatit dhe personin jo-rezident WR Prej 1 deri 15 të çdo muaji
4 Pasqyra tremujore mbi qiranë dhe pasurinë e patrupëzuar IR Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
5 Pasqyra tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e vogla individuale IS Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
6 Pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për bizneset e mëdha individuale IL Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
7 Pasqyra tremujore e pagesës së tatimit për korporatat e vogla QS Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
8 Pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për korporatat e mëdha QL Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
9 Formular i Deklarimit vjetor dhe pagesën për tatimin mbi të Ardhurat Personale PD Prej 1 janar deri 31 mars
10 Formular i Deklarimit vjetor dhe pagesën për tatimin në të Ardhurat e Korporatave CD Prej 1 janar deri 31 mars
11 Formular i Deklarimit vjetor dhe pagesën për tatimin mbi të Ardhurat Personale – Individi DI Prej 1 janar deri 31 mars
12 Deklarata e Tatimit në të Ardhurat nga Ortakëria DO Prej 1 janar deri 31 mars
13 Kërkesa për Rimbursim /Kthim KRR Prej 1 deri 20 të çdo muaji apo tremujori
14 Deklarimi i Librit të Blerjes nga Deklaruesit e TVSH-së LB Prej 1 deri 20 të çdo muaji
15 Deklarimi i Librit të Shitjes nga Deklaruesit e TVSH-së LSH Prej 1 deri 20 të çdo muaji
16 Deklarimi i Librit të Blerjes nga personat tjerë LB Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
17 Deklarimi i Librit të Shitjes nga Personat tjerë LSH Prej 1 deri 15 të çdo tremujori
18 Deklarimi i Raportit të blerjeve mbi 500€ RB Prej 1 janar deri 31 mars
19 Deklarimi i Pasqyrave Financiare PF Prej 1 janar deri 31 mars