Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Mbledhja e Detyrueshme

Dokumentet


1) Kur krijohet borxhi tatimor?

2) Kur caktohet rasti për mbledhje të detyrueshme?

3) Cilat janë veprimet themelore të mbledhjes së borxheve?

4) Si shpërndahet shuma e tatimit të paguar?

5) Kur mundësohen marrëveshjet me këste?

6) Kur lind Barra tatimore?

7) Në çfarë pasurie vendoset barra tatimore?

8) Kur aplikohet masa për marrje të pasurisë?

9) Cilat janë kufizimet mbi mbledhjen e detyrueshme?

10) Cilat janë obligimet tatimore për personat e tretë?

11) Si trajtohen rastet pas veprimeve të mbledhjes së detyrueshme?

12) Cilat janë autorizimet e ATK-së?

13) Në cilat rrethana ATK mund të bartë një vlerësim të tatimit të transfer-marrësit pas transferimit të aseteve?

14) Si trajtohet tatimi në rrezik?

15) Çka është Barra tatimore?

16) Çka është Urdhërvjelja?

17) Nëse kam lidhur marrëveshje me ATK-në për pagesë të borxhit me këste dhe nuk e kam respektuar atë, si mund ta ri-programoj atë sërish dhe cilat janë pasojat?

18) Sa janë kamatat për vonesa dhe gjobat për mosdeklarim?

19) Nëse ndërpritet aktiviteti i tatimpaguesit, i cili ka borxh/e, a mund të paguhet vetëm një përqindje e shumës totale të borxhit, dhe si duhet të veprohet?

20) Cilat janë ndëshkimet/gjobat të cilat mund të zbriten në rastin kur bëhet pagesa e njëhershme e borxhit?

21) Cilat janë ndëshkimet/gjobat të cilat mund të zbriten në rastin kur lidhet marrëveshje për pagesë me këste për kryerjen e detyrimeve tatimore?

22) Ku mund të informohem nëse kam borxhe tatimore apo jo?

23) A mund të pajisem me letërkujtesë për pagesë të borxhit në zyrën rajonale në Prishtinë, përderisa qendra tatimore e biznesit është në një regjion tjetër?

24) A mund ta marr fletëpagesën përmes sistemit elektronik EDI, për të paguar borxhin, i cili më ka lindur për shkak se nuk kam paguar me kohë?

25) Në rast se nuk kam respektuar marrëveshjen për pagesë me këste të borxhit dhe për këtë arsye më është bllokuar edhe llogaria bankare nga ATK-ja, si mund ta kryej pagesën e obligimit tatimor?

26) Cilat janë kriteret që të shpallet një borxh i pambledhshëm?

27) Ku bëhet regjistrimi i barrës tatimore?

28) Për çfarë vlere të borxhit, mund të lidhet marrëveshje për pagesë me këste?

29) Për marrëveshjen për pagesë me këste të obligimeve tatimore, a mund të paguaj vetëm 20% të obligimit tatimor? A përfshinë kjo marrëveshje heqjen e interesit?

30) Sa është kohëzgjatja e një barre tatimore?

31) Nëse tatimpaguesi është Ndërmarrje Shoqërore, Ndërmarrje Publike, Organizatë Buxhetore, a vlen periudha dhjetë (10) vjeçare për vlefshmërinë e barrës tatimore?

32) Nëse tatimpaguesi është në marrëveshje për pagesë të borxhit me këste, a ka të drejtë ligjore ATK-ja të vendosë barrën tatimore?

33) Nëse tatimpaguesi lëndën e ka në Ankesa, a ka të drejtë ligjore ATK-ja të vendosë për bllokim të mjeteve?

34) Nëse ATK-ja ka bllokuar llogarinë bankare, çka duhet të ndërmarr për të zhbllokuar llogarinë?

35) Sa është vlera minimale e borxhit, për të cilin ATK-ja mund të bëjë bllokimin e llogarisë bankare të tatimpaguesit?

36) A mund të shitet në ankand nga ATK-ja, pasuria e konfiskuar?

37) Kur duhet të shpallet për shitje pasuria e konfiskuar?

38) Kur ndërmerren masat për konfiskim të pasurisë?

39) Cili është afati kohor brenda të cilit duhet të shitet pasuria e konfiskuar?

40) Një tatimpaguesi borxhli i është vendosur barra tatimore për obligim tatimor. Nëse tatimpaguesi bënë një deklaratë korrigjuese dhe i nënvlerësohet obligimi tatimor, si duhet të veprojë zyrtari i mbledhjes në këtë rast?

41) Sa mund të jetë kohëzgjatja e një marrëveshjeje për pagesë me këste?

42) Sa ditë pas lindjes së obligimit tatimor duhet të vihet barra tatimore?

43) Cilat janë kriteret që një tatimpagues të jetë rast për mbledhjen e detyruar?

44) Cilat janë kriteret për lidhjen e një marrëveshje për pagesë me këste?

45) Cilat kushte duhet ti plotësojë një tatimpagues për të lidhur një marrëveshje për pagesë me këste me ATK-në?

46) Sa është ndëshkimi/gjoba për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave?

47) Në cilat raste një tatimpagues mund të bëjë/përfitoj zbritje të ndëshkimeve/gjobave?

48) Kur një borxh mund të konsiderohet si borxh pasiv?

49) Kur bëhet lirimi nga barra tatimore?

50) Nëse biznesi ka obligim të papaguar dhe pas vendosjes së barrës tatimore ka paguar pesëdhjetë përqind (50%) të obligimit tatimor, ndërsa për pjesën tjetër të obligimit bënë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste, a duhet të lirohet nga barra tatimore?

51) Çka përmban njoftimi për konfiskimin e pasurisë?

52) A ka të drejtë ligjore ATK t’ju vendosë barrë tatimore Ndërmarrjeve Shoqërore, të cilat janë në aktivitet administrativ të Agjencisë Kosovare të Privatizimit?

53) A duhet që për të gjitha vlerat e borxhit të keq të ndiqen procedurat gjyqësore?

54) A mund të shtyhen veprimet e mbledhjes nëse tatimpaguesi është në procedurë ankimore?

55) Pasuria e konfiskuar a mund të bëhet pronë shtetërore?

Pyetje dhe Përgjigje për Borxhet Tatimore


1) Kur krijohet borxhi tatimor?

ATK-ja në mënyrë që të realizojë përgjegjësitë që i ka dhënë ligji, të gjitha përpjekjet i ka përqendruar në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve. Tatimpaguesi që nuk përmbushë detyrimet tatimore, rrjedhimisht krijon borxh tatimor kur:

  • deklaron dhe nuk paguan;
  • deklaron dhe paguan me vonesë;
  • ATK-ja bën një përcaktim shtesë për mosdeklarim, nëndeklarim, gjoba apo interes.

2) Kur caktohet rasti për mbledhje të detyrueshme?

Për borxhin tatimor të krijuar, i cili është bërë i pagueshëm, caktohet rasti në mbledhjen e detyrueshme, e cila përbrenda autorizimeve të dhëna do të mbledh borxhin tatimor dhe do të kërkojë deklaratat në mungesë. Afati i mbledhjes së një borxhi tatimor është dhjetë (10) vite nga data e vlerësimit të tatimit. Kjo periudhë mund të zgjatet nëse:

  • është parashtruar ankesë në Divizionin e Ankesave në ATK;
  • është parashtruar ankesë në një gjyq të juridiksionit kompetent;
  • është bërë marrëveshje me shkrim me ATK-në për zgjatje të periudhës, por jo më shumë se njëzetekatër (24) muaj;
  • personi ka qëndruar jashtë vendit më shumë se tre (3) muaj.

Periudha e lartpërmendur, për Ndërmarrjet Shoqërore, mund të zgjatet deri në likuidimin e tyre, ndërsa për Ndërmarrjet Publike nuk aplikohet afati i paraparë, pasi nuk kanë afat të caktuar kohor.

3) Cilat janë veprimet themelore të mbledhjes së borxheve?

Nëse nuk është paguar borxhi në tërësi ose nuk është lidhur marrëveshje për pagesë me këste, ATK-ja do të njoftoj tatimpaguesin përmes Njoftimit përfundimtar për pagesë (afati 10 ditë për pagesë) se do të fillojnë procedurat e mbledhjes së detyrueshme. Në rast se nuk është bërë pagesa e borxhit brenda afatit të paraparë, atëherë ndërmerren veprimet themelore të mbledhjes, siç janë:

  1. Urdhërvjelja në banka;
  2. Urdhërvjelja në llogari të arkëtueshme;
  3. Embargo në Importe/Eksporte; etj.

4) Si shpërndahet shuma e tatimit të paguar?

Përgjithësisht, pagesat do të aplikohen fillimisht për periudhën tatimore që ka datën më të vjetër të vlerësimit, pavarësisht periudhës tatimore të përfshirë. Kur pagesat të kenë filluar të aplikohen në periudhë të veçantë tatimore, e tërë shuma e asaj periudhe tatimore, përfshirë interesin dhe ndëshkimin/gjobën, do të paguhet para fillimit të aplikimit të pagesave në një periudhë tatimore pasuese.

Shuma e ndonjë tatimi të paguar do të shpërndahet sipas rendit vijues:

  • shpenzimet e mbledhjes;
  • shuma e çdo obligimi tatimor;
  • interesi; dhe
  • ndëshkimet/gjobat.

5) Kur mundësohen marrëveshjet me këste?

Në rastin kur tatimpaguesi ka vështirësi financiare, atëherë ATK-ja mund t’i ofrojë mundësinë për të parashtruar kërkesë për të lidhë marrëveshje për të paguar detyrimet me këste, në përputhje me afatet dhe kushtet e marrëveshjes.

6) Kur lind Barra tatimore?

Nëse një person i cili është i detyruar t’i paguajë ndonjë tatim ATK-së sipas legjislacionit në fuqi, nuk paguan atë tatim brenda dhjetë (10) ditëve kalendarike pas dorëzimit të njoftim-vlerësimit, lind një barrë tatimore në pasurinë apo në të drejtën pasurore që i përket atij personi, qoftë e luajtshme apo e paluajtshme, e trupëzuar apo e patrupëzuar.

7) Në çfarë pasurie vendoset barra tatimore?

ATK-ja ka të drejtë të vendos barrën tatimore në tërë pasurinë e personit, përfshirë edhe pasurinë e blerë nga personi pas vendosjes së barrës tatimore, për të siguruar obligimin tatimor të papaguar, i cili përfshin tatimin e papaguar, ndëshkimet/gjobat, interesin dhe shpenzimet e mbledhjes.

8) Kur aplikohet masa për marrje të pasurisë?

Në rast se një person i cili është i detyruar të paguajë një lloj tatimi nuk paguan ose refuzon të paguajë brenda dhjetë (10) ditëve pas dorëzimit të një njoftimi për vlerësim, ATK-ja mbledhë shumën e tillë dhe shuma të tjera që janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e masës për marrje pasurie, me masën për konfiskim pasurie që i përket personit të tillë në pronësi të tatimpaguesit ose të një personi të tretë.

ATK-ja do të përkujdeset për zbatimin e procedurave të sforcuara të mbledhjes së borxhit siç janë: konfiskimi i pasurisë së tatimpaguesit dhe organizimi i shitjes së asaj pasurie të konfiskuar përmes procedurave të përcaktuara me legjislacionin e aplikueshëm tatimor.

9) Cilat janë kufizimet mbi mbledhjen e detyrueshme?

Vetëm pasuria e cila është e nevojshme dhe e mjaftueshme për të plotësuar detyrimet aktuale tatimore të tatimpaguesit mund t’i nënshtrohen veprimit të marrjes me detyrim. Llojet e pasurisë së tatimpaguesit, që përjashtohen nga masa e marrjes dhe konfiskimet janë si në vijim: pagesa ushqimore për fëmijë, pagesat nga skemat sociale dhe ndihmat nga shteti për raste të jashtëzakonshme, veshmbathja themelore, ushqimi bazë, mobiliet bazë, artikujt personal bazë, duke përjashtuar artikujt luksoz, si dhe çdo pasuri tjetër e specifikuar me akt nënligjor.

10) Cilat janë obligimet tatimore për personat e tretë?

Kur dikush ka qenë përgjegjës apo ka ndihmuar në moskryerjen e detyrimeve tatimore, ATK-ja ka autorizim që ndaj atyre personave të bëjë vlerësim tatimor dhe të ndjek të gjitha procedurat që kërkohen sikurse ndaj çdo tatimpaguesi tjetër që është në detyrim ndaj ATK-së. Ata mund të jenë:

  • personi përgjegjës në biznes, i cili ka pasur përgjegjësi t’i kryej obligimet tatimore;
  • transfer-marrësi, personi që ka mundësuar transferin e aseteve të obliguesit tatimor;
  • pronari përfitues, i cili gëzon përfitimet nga domeni dhe kontrolli i aseteve me titull në pronësi të dikujt tjetër;
  • i emëruari, personi i cili është i caktuar të veprojë për dikë tjetër.

11) Si trajtohen rastet pas veprimeve të mbledhjes së detyrueshme?

ATK do të inicioj për kallëzime penale, si dhe inicimin e procedurave të Likuidimit në Gjykatën Kompetente lidhur me mospagesën e borxhit. ATK do të trajtoj rastet që i plotësojnë kushtet ligjore për pasivizim apo edhe anulim të borxheve.

12) Cilat janë autorizimet e ATK-së?

Sa i përket mbledhjes së tatimit, Administrata Tatimore e Kosovës ka autorizime të shumta të cilat janë të parapara me ligjet tatimore, e ato janë:

  • kërkimi i informatave për pasurinë e tatimpaguesit, si nga ai, ashtu edhe nga palët tjera, përfshirë bankat;
  • regjistrimi i barrës tatimore (në tërë pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme), dhjetë (10) ditë pas krijimit të borxhit tatimor me efekt dhjetë (10) vjeçar;
  • bllokimi i llogarive bankare dhe konfiskimi i mjeteve në to;
  • bllokimi dhe konfiskimi i mjeteve të pritura nga klientët apo punëdhënësit e tatimpaguesit;
  • bllokimi i mallrave për import apo eksport;
  • konfiskimi i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, me përjashtim të gjësendeve themelore për jetesë të familjes;
  • shitja e pasurisë së konfiskuar, etj.

13) Në cilat rrethana ATK mund të bartë një vlerësim të tatimit të transfer-marrësit pas transferimit të aseteve?

ATK-ja ka të drejtë të transferoj një vlerësim të tatimit tek entiteti tjetër pas transferimit të aseteve (të luajtshme apo të paluajtshme) në rrethanat si në vijim:

  • tatimpaguesi ka transferuar mjetet tek entiteti tjetër qoftë në parashikimin e krijimit të borxhit tatimor ose pas krijimit të borxhit tatimor;
  • transferimi i mjeteve ka qenë më i vogël se vlera e hapur e tregut të aseteve;
  • transferimi i aseteve e ka lënë tatimpaguesin pa aftësi për të paguar borxhin tatimor; dhe
  • ATK ka njoftuar tatimpaguesin dhe entitetin tjetër për përcaktimin se transferimi i aseteve rezulton në një vlerësim ndaj palës së tretë, me të drejtë ankese për palën e tretë.

14) Si trajtohet tatimi në rrezik?

Nëse ATK-ja konsideron se mbledhja e tatimit apo ndëshkimit që bëhet detyrim i pagueshëm është në rrezik, mund të lëshoj urdhër për tatim në rrezik, kur:

  • tatimpaguesi po përgatitet të braktisë Republikën e Kosovës;
  • tatimpaguesi është gati të pushoj biznesin;
  • tatimpaguesi është gati të transferoj pasurinë; apo
  • arsye tjera të ngjashme të dokumentuara.

Kur urdhëri për tatim në rrezik është lëshuar, njoftohet çdo person që i ka borxh para apo pasuri tatimpaguesit që të lë mënjanë paratë apo pasurinë e atij tatimpaguesi deri në njoftimin tjetër.

15) Çka është Barra tatimore?

Barra tatimore është një dokument zyrtar publik nën legjislacionin tatimor të zbatueshëm në Kosovë. Barrë tatimore, do të thotë e drejta e Administratës Tatimore të Kosovës që të marr dhe të mbajë pasurinë e tatimpaguesit si siguri për pagesën e çdo tatimi dhe të drejtën për të shitur pasurinë e tillë dhe për të përdorur paratë e shitjes për pagesën e atij tatimi. Pra, ky dokument do të mbroj të drejtën e Administratës Tatimore për pagesat e borxheve me prioritet të posaçëm.

16) Çka është Urdhërvjelja?

Urdhërvjelja është një dokument legal në legjislacionin tatimor të zbatueshëm në Kosovë. Procedurat e masës për marrje pasurie të detyrimeve tatimore fillojnë vetëm pasi ndaj tatimpaguesit, i cili nuk ka paguar borxhet, janë ndërmarr të gjitha masat dhe janë respektuar procedurat e njoftimit të cekur në Ligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore.

17) Nëse kam lidhur marrëveshje me ATK-në për pagesë të borxhit me këste dhe nuk e kam respektuar atë, si mund ta ri-programoj atë sërish dhe cilat janë pasojat?

Nëse tatimpaguesi ka lidhur një marrëveshje për pagesë të borxhit me këste me ATK-në dhe nuk e ka respektuar atë, interesi do të rivendoset në mënyrë retroaktive deri më datën kur është nënshkruar marrëveshja. Nëse një tatimpagues dështon të zbatojë kushtet e një marrëveshjeje për pagesë me këste dhe dëshiron të ri-vendosë një marrëveshje tjetër për pagesë me këste për të njëjtin detyrim tatimor, marrëveshja me këste pasuese nuk do të përfshijë heqjen e interesit. Interesi do të vazhdoj të rrjedhë në çdo marrëveshje me këste pasuese për kohëzgjatjen e marrëveshjes.

18) Sa janë kamatat për vonesa dhe gjobat për mosdeklarim?

Në qoftë se çfarëdo lloj shume e ndonjë tatimi e administruar nga ATK-ja sipas legjislacionit të zbatueshëm në Kosovë nuk është paguar deri në datën e fundit të përcaktuar për pagesë, tatimpaguesi do të jetë i detyruar të paguajë interes sipas përqindjes (%) së përcaktuar nga Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Kur një personi i kërkohet të dorëzojë një deklaratë tatimore sipas legjislacionit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës, dhe nuk e dorëzon këtë deri në afatin e përcaktuar, e cila rezulton me detyrim tatimor, i nënshtrohet gjobës prej:

  • pesëdhjetë euro (50.00€) për personin fizik afarist, për çdo deklaratë të padeklaruar;
  • njëqind e pesëdhjetë euro (150.00€) për personin juridik, për çdo deklaratë të padeklaruar;
  • njëzet euro (20.00€) për personin fizik jo afarist, për çdo deklaratë të padeklaruar.

Pra, gjobat për vonesa në deklarim vendosen sipas statusit të tatimpaguesit dhe janë:

  • për biznesin individual, gjoba pesëdhjetë euro (50€);
  • për personin juridik, gjoba njëqindepesëdhjetë euro (150€);
  • për personin fizik jo afarist, gjoba njëzet euro (20€).
  • interesi – sipas përqindjes (%) së përcaktuar nga Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, aplikohet pavarësisht se çfarë statusi ka tatimpaguesi;

19) Nëse ndërpritet aktiviteti i tatimpaguesit, i cili ka borxh/e, a mund të paguhet vetëm një përqindje e shumës totale të borxhit, dhe si duhet të veprohet?

Tatimpaguesit kanë të drejtë të kërkojnë të çregjistrohen vetëm pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore dhe pasi të kenë paraqitur bilancin e mbylljes dhe të kenë bërë ç’regjistrimin e PEF/SF.

Derisa nuk mund të paguhet tërësisht detyrimi tatimor, mund të kërkoni nga ATK-ja që t’ju mundësoj ta bëni pagesën e tatimit me këste duke lidhur marrëveshje me ATK-në, ku interesi nuk do të rrjedh nga muaji që pason muajin në të cilin marrëveshja është lidhur derisa të zbatohet tërësisht.

ATK-ja duhet të sigurojë mbledhjen e tatimit në pajtueshmëri me të gjitha mjetet relevante të mbledhjes që mund të zbatohen te tatimpaguesi sipas legjislacionit tatimor në fuqi.

20) Cilat janë ndëshkimet/gjobat të cilat mund të zbriten në rastin kur bëhet pagesa e njëhershme e borxhit?

Nëse tatimpaguesi me detyrim tatimor të pashlyer, paguan detyrimin tatimor së bashku me interesin me një pagesë të njëhershme, gjobat e aplikuara sipas ligjit, përveç gjobave për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave, do të zbriten në tridhjetë përqind (30%).

21) Cilat janë ndëshkimet/gjobat të cilat mund të zbriten në rastin kur lidhet marrëveshje për pagesë me këste për kryerjen e detyrimeve tatimore?

Nëse tatimpaguesi me detyrim tatimor të pashlyer, hyn në marrëveshje me shkrim për të paguar tatimin e pashlyer me dy ose më tepër këste, i përmbush kushtet e marrëveshjes me shkrim dhe i kryen në kohë të gjitha detyrimet e tjera tatimore gjatë kohës së asaj marrëveshjeje, përveç gjobave për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave, gjobat tjera do të zbriten në pesëdhjetë përqind (50%).

22) Ku mund të informohem nëse kam borxhe tatimore apo jo?

Është e drejtë e çdo tatimpaguesi të jetë i njoftuar për gjendjen e tij tatimore. Për gjendjen tatimore mund të informoheni për çdo ditë përmes Sistemit Elektronik EDI apo duke vizituar zyrën përkatëse Rajonale të Shërbimit për Tatimpagues.

23) A mund të pajisem me letërkujtesë për pagesë të borxhit në zyrën rajonale në Prishtinë, përderisa qendra tatimore e biznesit është në një regjion tjetër?

Fletëpagesën për pagesën e borxhit mund ta shkarkoni përmes sistemit elektronik EDI, ndërsa letërkujtesën për pagesë të borxhit mund ta merrni vetëm në zyrën përkatëse rajonale të ATK-së.

24) A mund ta marr fletëpagesën përmes sistemit elektronik EDI, për të paguar borxhin, i cili më ka lindur për shkak se nuk kam paguar me kohë?

Përmes sistemit elektronik EDI, mund ta merrni fletëpagesën për borxhin e papaguar.

25) Në rast se nuk kam respektuar marrëveshjen për pagesë me këste të borxhit dhe për këtë arsye më është bllokuar edhe llogaria bankare nga ATK-ja, si mund ta kryej pagesën e obligimit tatimor?

Llogaria juaj bankare është bllokuar nga ATK-ja pasi ju nuk keni respektuar marrëveshjen për pagesën me këste të borxhit. Nëse në llogarinë tuaj keni mjete, atëherë me kërkesën tuaj banka është e obliguar që t’i transferoj ato mjete në llogari të ATK-së për aq sa është borxhi. Pas pranimit të konfirmimit për transfer nga banka, ATK-ja do ta bëjë zhbllokimin e llogarisë tuaj.

26) Cilat janë kriteret që të shpallet një borxh i pambledhshëm?

Borxh i pambledhshëm shpallet atëherë kur borxhi është më i vjetër se dhjetë (10) vite, me kusht që mos të ketë rrethana që do të zgjasin këtë afat.

27) Ku bëhet regjistrimi i barrës tatimore?

Varësisht se ku ATK-ja e vendos barrën tatimore, ajo duhet të regjistrohet në zyrat përkatëse:

  • për pasurinë e luajtshme – barra tatimore duhet të dorëzohet në zyrën e regjistrimit të pengut, e cila gjendet në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë;
  • për pasurinë e paluajtshme – barra tatimore duhet të regjistrohet në zyrën kadastrale komunale, në të cilën ndodhet pasuria e paluajtshme.

28) Për çfarë vlere të borxhit, mund të lidhet marrëveshje për pagesë me këste?

ATK-ja mund të lidhë marrëveshje për pagesë me këste me tatimpaguesit, përmes së cilës një tatimpagues mund ta paguajë borxhin e tij tatimor, në përputhje me afatet dhe kushtet e marrëveshjes, pavarësisht shumës së detyrimit tatimor.

29) Për marrëveshjen për pagesë me këste të obligimeve tatimore, a mund të paguaj vetëm 20% të obligimit tatimor? A përfshinë kjo marrëveshje heqjen e interesit?

Pagesa e parë sipas marrëveshjes duhet të jetë së paku 20% e borxhit të përgjithshëm të përfshirë në marrëveshje.

Interesi nuk falet, por mund të ndalet atëherë kur:

  • jeni në marrëveshje të rregullt për pagesë të borxhit me këste;
  • nuk e prishni marrëveshjen për pagesë;
  • gjatë marrëveshjes nuk krijoni borxhe të reja; dhe
  • keni deklarime të rregullta.

30) Sa është kohëzgjatja e një barre tatimore?

Barra tatimore përfundon dhjetë (10) vite nga data e vlerësimit dhe obligimit tatimor.

31) Nëse tatimpaguesi është Ndërmarrje Shoqërore, Ndërmarrje Publike, Organizatë Buxhetore, a vlen periudha dhjetë (10 ) vjeçare për vlefshmërinë e barrës tatimore?

Për këtë kategori të tatimpagueseve nuk vlen periudha prej dhjetë (10 ) viteve e vendosjes së barrës tatimore, por barra tatimore nuk skadon deri sa detyrimet të jenë shlyer tërësisht.

32) Nëse tatimpaguesi është në marrëveshje për pagesë të borxhit me këste, a ka të drejtë ligjore ATK-ja të vendosë barrën tatimore?

Barra tatimore vendoset pavarësisht se a është tatimpaguesi në marrëveshje për pagesë të borxhit me këste apo jo. Po ashtu, barra tatimore vendoset para lidhjes së marrëveshjes për pagesë me këste, me qëllim që të sigurohet respektimi i marrëveshjes.

33) Nëse tatimpaguesi lëndën e ka në Ankesa, a ka të drejtë ligjore ATK-ja të vendosë për bllokim të mjeteve?

Sipas legjislacionit tatimor nuk është përcaktuar kufizim në procedurat e mbledhjes së detyrueshme edhe nëse tatimpaguesi ka parashtruar ankesë në Divizionin e Ankesave, përveç rasteve të konfiskimit të pasurisë së paluajtshme.

34) Nëse ATK-ja ka bllokuar llogarinë bankare, çka duhet të ndërmarr për të zhbllokuar llogarinë?

Tatimpaguesi së pari duhet të kryej detyrimet tatimore, dhe më pas të ofroj dëshmitë e pagesës në zyrën përkatëse të mbledhjes së detyruar, e cila pasi të verifikoj pagesat, do të bëjë zhbllokimin e llogarisë bankare.

35) Sa është vlera minimale e borxhit, për të cilin ATK-ja mund të bëjë bllokimin e llogarisë bankare të tatimpaguesit?

Me legjislacionin tatimor nuk është e përcaktuar se cila është vlera minimale e borxhit për të bërë bllokimin e llogarisë bankare të tatimpaguesit. Bllokimi i llogarisë bankare mund të bëhet për çdo borxh të papaguar.

36) A mund të shitet në ankand nga ATK-ja, pasuria e konfiskuar?

Çdo pasuri e konfiskuar, qoftë pasuri e luajtshme apo e paluajtshme, mund të shitet në ankand nga ATK-ja.

37) Kur duhet të shpallet për shitje pasuria e konfiskuar?

Pasuria e konfiskuar duhet të shpallet për shitje së paku dhjetë (10) ditë para planifikimit të datës së shitjes, por jo më shumë se njëzetë (20) ditë përpara datës së planifikuar për shitje.

38) Kur ndërmerren masat për konfiskim të pasurisë?

Masat për konfiskim të pasurisë ndërmerren nga ATK-ja dhjetë (10) ditë pasi të jetë dorëzuar njoftimi përfundimtar për pagesën e borxhit. Pra, pasi të dorëzohet njoftimi përfundimtar për pagesën e borxhit, tatimpaguesi ka afat pagese dhjetë (10) ditë, në të kundërtën lëshohet njoftimi për konfiskimin e pasurisë.

39) Cili është afati kohor brenda të cilit duhet të shitet pasuria e konfiskuar?

Kur të jetë konfiskuar pasuria e tatimpaguesit, duhet të shitet brenda një periudhe që fillon tridhjetë (30) ditë nga data e konfiskimit dhe përfundon gjashtëdhjetë (60) ditë nga data e konfiskimit. Periudha për shitjen e pasurisë mund të zgjatet nëse rrethanat kërkojnë, sikurse është shtyrja e shitjes, e cila kërkon ri-shpalljen e shitjes. ATK-ja autorizohet të fillojë shpalljen e shitjes së pasurisë së konfiskuar, përpara se afati prej tridhjetë (30) ditësh të skadojë, me kusht që data e shitjes nuk është më pak se tridhjetë (30) ditë nga data e konfiskimit. Data e konfiskimit është data në të cilën ATK-ja ka marrë në posedim pasurinë duke lëshuar Njoftimin për Masë për Marrje të Pasurisë dhe Njoftimin për Konfiskim.

40) Një tatimpaguesi borxhli i është vendosur barra tatimore për obligim tatimor. Nëse tatimpaguesi bënë një deklaratë korrigjuese dhe i nënvlerësohet obligimi tatimor, si duhet të veprojë zyrtari i mbledhjes në këtë rast?

Ulja e tatimit të vlerësuar qoftë nga një rregullim kontrolli apo deklaratë korrigjuese vullnetare e dorëzuar nga tatimpaguesi, nuk kërkon barrë të re dhe nuk vendos periudhë të re dhjetë (10) vjeçare të mbledhjes.

41) Sa mund të jetë kohëzgjatja e një marrëveshjeje për pagesë me këste?

ATK-ja mund të lidhë një marrëveshje për pagesë me këste me tatimpaguesin, përmes së cilës një tatimpagues mund të paguajë borxhin e tij tatimor, në përputhje me afatet dhe kushtet e marrëveshjes. Duke filluar nga muaji pas muajit në të cilin është nënshkruar një marrëveshje me këste, deri sa të shlyhet detyrimi tatimor, nuk do të rrjedh interes në borxhin tatimor.

42) Sa ditë pas lindjes së obligimit tatimor duhet të vihet barra tatimore?

Barra tatimore lind kur një person i obliguar për të paguar një detyrim tatimor, nuk e paguan atë brenda afatit dhjetë (10) ditor pas dorëzimit të njoftim vlerësimit.

Pra, nëse tatimpaguesi nuk paguan ose refuzon për të paguar detyrimin tatimor të vlerësuar, atëherë barra konsiderohet se lidhet prapa me datën e vlerësimit dhe vlen duke filluar nga ora: 16:00 pasdite e datës kur tatimi është vlerësuar.

43) Cilat janë kriteret që një tatimpagues të jetë rast për mbledhjen e detyruar?

Për tatimpaguesin, i cili nuk përmbush detyrimet tatimore brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të njoftimit përfundimtar për pagesën e borxhit, fillojnë procedurat e mbledhjes së detyruar.

44) Cilat janë kriteret për lidhjen e një marrëveshje për pagesë me këste?

Nëse tatimpaguesi nuk ka mundësi të bëj pagesën e menjëhershme për tërë borxhin tatimor, ATK-ja ia mundëson pagesën me këste duke lidhur paraprakisht marrëveshje me tatimpaguesin.

45) Cilat kushte duhet ti plotësojë një tatimpagues për të lidhur një marrëveshje për pagesë me këste me ATK-në?

Për të lidhur marrëveshje për pagesë me këste, duhet të plotësohen kushtet vijuese:

  • marrëveshja nuk mund të jetë për një periudhë më të gjatë se dymbëdhjetë (12) muaj, duke filluar nga data kur ajo nënshkruhet;
  • pagesa e parë sipas marrëveshjes duhet të jetë së paku 20% e borxhit të përgjithshëm të përfshirë në marrëveshje;
  • tatimpaguesi duhet të pranojë se do ti zbatojë me rregull të gjitha detyrimet e tjera tatimore, përfshirë kryerjen me kohë dhe saktësi të pagesave paradhënie tremujore (nëse janë të aplikueshme), regjistrimin për TVSH, kur kërkohet (nëse është e aplikueshme), si edhe dorëzimin e deklaratave që kërkohen të cilat paguhen në tërësi në apo para datës së përshkruar; dhe
  • tatimpaguesi duhet të kryejë të gjitha pagesat në apo para datës së përshkruar në marrëveshje. Marrëveshja, përcakton datën në të cilën pagesa periodike duhet të bëhet.

Pagesa periodike nuk është e detyrueshme të planifikohet në bazë mujore, por një pagesë duhet të planifikohet së paku një në çdo tre muaj.

46) Sa është ndëshkimi/gjoba për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave?

Çdo person që nuk e dorëzon pasurinë që i nënshtrohet konfiskimit i nënshtrohet një gjobe që është e barabartë me pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes.

47) Në cilat raste një tatimpagues mund të bëjë/përfitoj zbritje të ndëshkimeve/gjobave?

  • Në rast se tatimpaguesi me detyrim tatimor të pashlyer paguan detyrimin tatimor së bashku me interesin me një pagesë të njëhershme, gjobat e aplikuara sipas ligjit, përveç gjobave për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave, do të përfitojë zbritje në tridhjetë përqind (30%).
  • Në rast se tatimpaguesi me detyrim tatimor të pashlyer lidh marrëveshje me shkrim për të paguar tatimin e pashlyer me dy ose më tepër këste, i përmbush kushtet e marrëveshjes me shkrim dhe i kryen në kohë të gjitha detyrimet e tjera tatimore gjatë kohës së asaj marrëveshjeje, gjobat e aplikuara sipas këtij Ligji, përveç gjobave për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave, do të përfitojë zbritje në pesëdhjetë përqind (50%).
  • Në rast se tatimpaguesi për ndonjë tatim dëshmon shkaqe të arsyeshme, besim të mirë, vështirësi të madhe ose arsye të tjera të cilat do të ngritin efektivitetin e ATK-së, Administrata Tatimore e Kosovës shqyrton kërkesat për zbritjen e gjobave dhe merr vendim bazuar në rishqyrtimin e fakteve dhe rrethanave.
  • Në rast se tatimpaguesi për çdo ndëshkim të aplikuar sipas këtij Ligji, përveç gjobave për mosdorëzim të pasurisë që i nënshtrohet masës së marrjes si dhe lënies mënjanë të parave, paguan brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike nga data e njoftimit për aplikim të gjobës, paguan vetëm pesëdhjetë përqind (50%) të vlerës së gjobës të aplikuar.

48) Kur një borxh mund të konsiderohet si borxh pasiv?

ATK-ja mund të transferojë një borxh tatimor në një dosje pasive për ta larguar atë nga baza e të dhënave aktive të mbledhjes kur pas përpjekjeve të dokumentuara është përcaktuar se tatimi nuk është i mbledhshëm në kohën e përcaktimit. Përcaktimi i tillë mund të bëhet në raste të tilla si, por duke mos u kufizuar në to, si:

  • pamundësia për ta gjetur tatimpaguesin apo asetet e tij/saj;
  • operimet afariste kanë pushuar pa lënë asete;
  • një tatimpagues si person fizik i vdekur kur nuk ka transferime të aseteve nga të cilat mund të mblidhet tatimi;
  • një tatimpagues që është shpallur i falimentuar sipas ligjit në fuqi dhe të gjitha masat e mbledhjes janë ndërmarrë;
  • një tatimpagues që nuk ka mundësi të paguajë borxhin tatimor bazuar në një analizë komplete të gjendjes financiare të tatimpaguesit; dhe
  • përcaktime të natyrës së ngjashme.

Vendosja e borxhit tatimor në një dosje pasive nuk e liron borxhin tatimor apo çrregullojë prioritetin e barrës së ATK-së. Nëse burimet e reja të mbledhjes bëhen të ditura, ATK kthen borxhin tatimor në gjendjen aktive të mbledhjes.

49) Kur bëhet lirimi nga barra tatimore?

Tatimpaguesi lirohet nga barra tatimore pasi të kryej të gjitha detyrimet tatimore, për të cilat është vendosur barra tatimore ose nëse përcaktohet se barra tatimore është vendosur gabimisht.

50) Nëse biznesi ka obligim të papaguar dhe pas vendosjes së barrës tatimore ka paguar pesëdhjetë përqind (50%) të obligimit tatimor, ndërsa për pjesën tjetër të obligimit bënë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste, a duhet të lirohet nga barra tatimore?

Derisa të kryhet pagesa e tërësishme e detyrimit tatimor, tatimpaguesi nuk mund të lirohet nga barra tatimore.

51) Çka përmban njoftimi për konfiskimin e pasurisë?

Njoftimi për konfiskim të pasurisë, do të përmbajë:

  • të dhënat e tatimpaguesit të cilit i është konfiskuar pasuria;
  • vendndodhjen e pasurisë;
  • llojin e detyrimit;
  • periudhën tatimore për të cilën ka lindur detyrimi;
  • shumën e tatimit të vlerësuar; dhe
  • informata tjera.

52) A ka të drejtë ligjore ATK t’ju vendosë barrë tatimore Ndërmarrjeve Shoqërore, të cilat janë në aktivitet administrativ të Agjencisë Kosovare të Privatizimit?

ATK-ja mund të regjistrojë një barrë tatimore kundër aseteve të një Ndërmarrjeje Shoqërore që ka një borxh tatimor edhe pse Ndërmarrja Shoqërore është nën juridiksionin e Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP).

53) A duhet që për të gjitha vlerat e borxhit të keq të ndiqen procedurat gjyqësore?

Për shumën deri në pesëqind euro (500€) të trajtuar si borxh të keq, nuk kërkohet inicimi i procedurave në organet gjyqësore.

54) A mund të shtyhen veprimet e mbledhjes nëse tatimpaguesi është në procedurë ankimore?

Çdo tatimpagues që dëshiron të shtyjë veprimin e mbledhjes së tatimit para se të bëjë një ankesë në bord apo gjykatë kompetente, mund të dorëzojë një garancion bankar ose formë tjetër të sigurisë të pranueshme nga Administrata Tatimore, për një shumë të mjaftueshme për të mbuluar tatimin, gjobën, plus interesin e tillë që mund të rritet gjatë çdo veprimi pasues.

55) Pasuria e konfiskuar a mund të bëhet pronë shtetërore?

ATK-ja ka të drejtë që pas vitit të dhjetë (10) nga vendosja e barrës tatimore, të bëjë rivlerësimin e pasurisë me barrë tatimore dhe pasuria e cila vlerësohet që mbulon detyrimin e pashlyer dhe e cila është e konfiskuar në bazë të procedurave të mbledhjes së detyrueshme, kalon në pronë shtetërore.


16.10.2015
Fletëpalosje – INFORMATA PËR BORXHIN TATIMOR


16.10.2015
Ligji Nr. 05/L-43 – LIGJI PËR FALJEN E BORXHEVE PUBLIKE


16.10.2015
Udhëzimi administrativ Nr. 04/2015 – PROCEDURAT E FALJES SË BORXHEVE PUBLIKE