Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

Reagim ndaj portalit të lajmeve Telegrafi

Administrata Tatimore e Kosovës është e shqetësuar nga keqinformimi i përhapur nga portali i lajmeve Telegrafi lidhur me interpretimin e përgjigjes zyrtare/opinionit ligjor të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për Odën e Farmacistëve të Kosovës, sa i përket çmimeve të furnitorëve dhe blerjes. Linku i postimit: https://telegrafi.com/atk-konfirmon-cmimet-e-tregut-per-barna-ofk-kerkon-nga-msh-te-marrin-veprime-per-te-parandaluar-demtimin-e-barnatoreve/

 

Në lajmin e publikuar, Telegrafi ka shpërfillur opinionin ligjor / përgjigjen e plotë që ATK ka dhënë për Odën e Farmacistëve të Kosovës, ku përgjigja zyrtare e ATK-së, ka trajtuar aspektet tatimore të trajtimit të çmimit të barnave, ndërsa Telegrafi ka paraqitur këtë opinion si një konfirmim nga ATK se çmimi i barnave duhet të jetë vlera e hapur e tregut dhe jo më pak se çmimi i kostos.

 

Përgjigja e plotë e ATK-së…” Regjistrimi i mallrave duhet të mbahet me çmimin e kostos, ndërsa, çmimi i furnizimit duhet të jetë vlera e hapur e tregut por jo më pak se çmimi i kostos.

 Përkufizimi i vlerës së hapur të tregut është bërë me nenin 3, paragrafin 1.12 të Ligjit Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, citojmë:

“ 1.12. Vlerë e hapur e tregut – nënkupton shumën e plotë që duhet ta paguaj konsumatori në shkallën e njëjtë të tregut në të cilin ndodh furnizimi i mallrave ose shërbimeve, nën kushtet e konkurrencës së barabartë, për furnizuesin nën mbizotërimin e tregut brenda Kosovës ku është bërë furnizimi, në mënyrë që të marr mallrat ose shërbimet në fjalë në atë moment. Kur nuk mund të sigurohet krahasimi për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, vlera e hapur e tregut nënkupton si në vijim:

1.12.1. në lidhje me mallrat, një shumë që nuk është më e vogël se çmimi i blerjes së mallrave ose të mallrave të ngjashme ose në mungesë të çmimit të blerjes, çmimi i kostos i përcaktuar në kohën e furnizimit;

1.12.2. në lidhje me shërbimet, një shumë që nuk është më e vogël se kostoja e plotë e personit të tatueshëm që e ofron atë shërbim”.

Shitjet me lirim normalisht rezultojnë në humbje për biznesin, sepse çmimi me lirim normalisht është më i vogël se vlera e kostos. Humbjet e tilla janë të lejueshme në vitin që kanë ndodhur, me kusht që tatimpaguesi të dokumentojë arsyet për shitjen e artikujve me humbje dhe i ofron ATK evidencë të arsyeve për ta bërë atë me kërkesën e ATK. Çdo humbje e ndodhur është e kufizuar në ndryshimin në mes çmimit të blerjes dhe çmimit me të cilin mallrat janë shitur, e zbritur nga ndonjë rimbursim sigurimi që lidhet me mallrat e dëmtuara apo kompensimi i marrë në lidhje me mallrat që janë vjetruar. Tatimpaguesi, duhet të jetë në gjendje të ofrojë dokumentacionin i cili tregon datën e blerjes dhe çmimin e blerjes të mallit dhe datën e shitjes dhe çmimin e ulur të shitjes të mallit.

Rregullat e legjislacionit tatimor, vlejnë vetëm për qëllime tatimore!

 

Një interpretim i tillë jo i saktë mund të shkaktojë keqkuptime serioze dhe të ndikojë në funksionimin e drejtë të sektorit farmaceutik.

 

Kërkojmë që portali Telegrafi të sqarojë publikisht këtë çështje dhe të sigurohet që informacionet e shpërndara për publikun të jenë të sakta dhe të bazuara në të dhëna të konfirmuara nga institucionet kompetente.

 

Transparenca dhe saktësia në komunikim janë të domosdoshme për të ruajtur besimin dhe funksionimin e drejtë të sektorit.