Në vijim të raportimeve mediale dhe deklaratave të dhëna nga përfaqësuesi i Aleancës Kosovare të Bizneseve, z. Kestrin Kumnova, lidhur me procesin e digjitalizimit të arkave fiskale, Administrata Tatimore e Kosovës ndien nevojën të sqarojë publikisht disa çështje me qëllim informimin e drejtë të publikut dhe të komunitetit të bizneseve.
Për interesin e deklaruesit dhe ndikimin në treg
Z. Kestrin Kumnova është përfaqësues i njërit prej operatorëve ekonomikë që merren me furnizimin e arkave fiskale në tregun e Kosovës. Është e natyrshme që përfaqësues të kësaj fushe të shfaqin kundërshtime ndaj një reforme që redukton ndjeshëm nevojën për pajisje fizike dhe, si rrjedhojë, ndikimin e drejtpërdrejtë komercial të tyre në treg.
Projekti i digjitalizimit të sistemit fiskal, përkundrazi, ka për qëllim lehtësimin e barrës financiare të bizneseve përmes një sistemi modern, transparent dhe me kosto minimale, ku bizneset nuk do të kenë më nevojë të blejnë pajisje të shtrenjta fizike, siç ndodh aktualisht.
Në këtë kontekst, është e kuptueshme që deklaratat e z. Kumnova të pasqyrojnë interesin komercial të operatorëve ekzistues në tregun e arkave fiskale.
Roli i ATK-së në procesin e digjitalizimit apo Softuerët Elektronikë Fiskalë (SEF)
Administrata Tatimore e Kosovës sqaron qartë se nuk ka inicuar dhe as përgatitur projektin për digjitalizimin e arkave fiskale apo Softuerët Elektronikë Fiskalë (SEF), dhe po ashtu nuk ka krijuar komisione apo grupe punuese për hartimin e këtij projekti.
ATK ka vetëm një përfaqësues të saj, z. Albert Hajrizi, i cili është caktuar nga autoritetet përkatëse për të marrë pjesë në proces në cilësi profesionale, si përfaqësues institucional.
Ky projekt, përveç kostos minimale të zbatimit, ka për qëllim edhe zgjerimin e mbledhjes së informatave tatimore, nga të cilat ATK mund të prodhojë raporte të ndryshme statistikore, që mund t’u shërbejnë edhe institucioneve tjera relevante për analiza dhe planifikime të mëtejshme fiskale.
Në kuadër të Udhëzimit Administrativ MFPT Nr. 01/2025, theksohet rëndësia e bartjes së saktë dhe të sigurt të të dhënave nga pajisjet fiskale apo softuerët elektronikë në sistemet e Administratës Tatimore. Ky proces është i rregulluar teknikisht në mënyrë që të sigurojë:
- transmetimin e pandërprerë të të dhënave fiskale në kohë reale ose periodike;
- integritetin dhe vërtetësinë e të dhënave përmes mekanizmave të enkriptimit dhe nënshkrimit elektronik;
- mbrojtjen e të dhënave tatimore nga qasja e paautorizuar apo manipulimi;
- auditueshmërinë e çdo transaksioni të regjistruar nga pajisja fiskale ose SEF-i.
Këto masa teknike garantojnë që informacionet e dërguara nga bizneset në ATK të jenë të sakta, të plota dhe të mbrojtura, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë së të dhënave.
Është thelbësore të rikujtohet se Administrata Tatimore e Kosovësështë organ ekzekutiv, që zbaton politikat fiskale të miratuara nga institucionet kompetente dhe nuk është organ politikbërës.
Çdo vendim që lidhet me reformat fiskale, përfshirë edhe procesin e digjitalizimit, merret nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe miratohet përmes procedurave ligjore përkatëse.
Sqarim lidhur me deklaratat e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, z. Mentor Hyseni
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Mentor Hyseni, në paraqitjet e tij publike, nuk ka komentuar vendimet e Gjykatës Supreme, por ka sqaruar qartësisht parimet udhëheqëse të çdo reforme fiskale që synon lehtësimin e bizneseve.
Deklarata e tij se digjitalizimi i sistemit fiskal do të ulë ndjeshëm kostot për bizneset është e bazuar në llogaritje paraprake teknike dhe ekonomike, të cilat synojnë përdorimin e teknologjive moderne me shpenzime minimale jo në investime të shtrenjta siç ndodhte me arkat fizike tradicionale.
Çdo përmendje e shumave konkrete ka pasur qëllim ilustrues.
Sa i përket kontrollit dhe barazisë në trajtimin e bizneseve
ATK është e përkushtuar në promovimin e barazisë tatimore dhe trajtimin e drejtë të të gjitha bizneseve, pa dallim.
Në përputhje me qasjen moderne të administrimit tatimor, prioriteti i parë i ATK-së është edukimi tatimor dhe vetëdijesimi, ndërsa ndëshkimi aplikohet vetëm si masë e fundit për ata që nuk i respektojnë detyrimet ligjore.
Në këtë drejtim, deklaratat e drejtorit Hyseni për “kontrolle të buta” janë shprehje e qasjes edukative dhe parandaluese që po promovohet nga autoriteti tatimor – jo lehtësim apo “legjitimim i evazionit fiskal”, siç është interpretuar gabimisht.
Administrata Tatimore e Kosovës, në vazhdimësi i monitoron tëgjithë tatimpaguesit të cilët janë të fiskalizuar, dhe ata që janë nëproces të fiskalizimit, me qëllim të gjenerimit të kuponit fiskal.
Përfundim
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj modernizimit të sistemeve tatimore, lehtësimit të barrës administrative për bizneset dhe rritjes së transparencës në ofrimin e shërbimeve publike.
Çdo reformë në sistemin fiskal do të zbatohet në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, me transparencë të plotë dhe në përputhje me vendimet gjyqësore në fuqi.
ATK do të vazhdojë të sigurojë informacione të sakta, të qarta dhe të mbështetura në fakte për çdo çështje që lidhet me të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Administrata Tatimore e Kosovës është e hapur për tëgjithë tatimpaguesit, me qëllim të diskutimit dhe trajtimit të të gjitha kërkesave dhe shqetësimeve të tyre.
Deklarata e Kestim Kumoves: