Raporto 0800 80 800

Administrata Tatimore e Kosovës

Poreska Administracija Kosova

Tax Administration of Kosovo

ATK dhe Doganat shpalosin tremujorin e suksesshëm të vitit 2011, grumbullojnë mbi 225 milion Euro

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës gjatë tre muajve të parë  të këtij viti kanë pasur ecuri të mira si në grumbullimin të hyrave, po ashtu edhe në përmbushjen e objektivave të tjera të përcaktuar. Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës z. Behxhet Haliti dhe nga drejtori i Doganave të Kosovës z. Naim Huruglica, në  konferencën e rradhës për shtyp, e cila u mbajt sot në Ministrinë e Financave të Kosovës.

Në bazë të këtij raporti, gjatë këtij tremujori ATK ka bërë hapa të konsiderueshëm për të përmirësuar dhe ngritur kapacitetet dhe shërbimet ndaj publikut e tatimpaguesve në përgjithësi, në mënyrë që tatimpaguesit ta kenë më të lehtë përmbushjen vullnetare dhe që secili të trajtohet në mënyrë të njëtrajtshme, transparente dhe efektive – “Kemi zhvilluar takime me përfaqësuesit e bizneseve,  kemi azhururar formularë të rinj tatimorë të cilët shpejtojnë procesin dhe eliminojnë gabimet, është bërë adaptimi i procedurave për alokimin e numrave fiskal me ç’rast tatimpaguesit tani kanë mundësi të pajisen me NRF ditën e aplikimit si dhe në këtë tremujor ka filluar shërbimi on-line që i mundëson tatimpaguesve në mënyrë elektronike të ofrojnë detajet e blerjeve vjetore mbi 500 Euro” – theksoi ndër të tjerat z. Haliti.

Gjithashtu në bazë të ATK-së, ky tremujor ka përfshirë edhe aktivitete të tjera siç janë: 13.670 vizita përmbushëse, 4,173 vizita vëzhguese, instalimi i mbi 4223 pajisje elektronike fiskale, mbi 70 vizita të aktiviteteve të lojërave të fatit, bashkëpunime të shumta me Policinë e Kosovës dhe Doganat, seminare e trajnime të ndryshme, 10 kallëzime penale e shumë aktivitete të tjera ,  ku si rezultat i gjithë kësaj pune janë tejkaluar edhe parashikimet për të hyrat, duke mbledhur kështu 62,6 milionë Euro nga Tatimet  apo 24 për qind e planit vjetor dhe 13 milionë Euro në emër të kontributeve pensionale.

Ndërkaq, z. Naim Huruglica ka theksuar se gjatë tre muajve të parë të këtij viti Dogana e Kosovës ka pasur mbi 150 milionë Euro të hyra, krahasuar me 121,5 milionë Euro sa ishin vjet në të njëjtën periudhë dhe se kjo paraqet rritje 24 për qind, ndërsa janë mbledhur mbi 19 për qind të hyrave të parapara për këtë vit.

Po ashtu ai ka shtuar se  gjatë kësaj periudhe kanë  ushtruar 335 kundërvajtje doganore, prej të cilave 45 kanë qenë për mallra të ndaluara. Pjesa më e madhe, apo 308 kundërvajtje  u bënë për mallra komerciale dhe për këtë  janë konfiskuar mallra në vlerë prej 192.795 Eurosh, kurse janë shqiptuar gjoba prej 381.172 Eurosh.

Në fund ata përmendën edhe sfidat e objektivat që i  presin këta të fundit gjatë këtij viti, duke potencuar të dy palët kushtet e punës dhe çështjen e akomodimit.