Konferenca per fundvit

KOMUNIKATË PËR MEDIA – 591.4 milion euro të inkasuar ose 34.5 milion euro më shumë se projeksioni për këtë vit

Janë shumë aktivitete, rezultate dhe sfida me të cilat Administrata Tatimore e Kosovës gjatë këtij viti është ballafaquar, por ky vit do të  karakterizohet për një performancë jashtëzakonisht të mirë në inkasimin e të hyrave, rritjen e efektivitetit në trajtimin e borxheve, avancimin e shërbimeve digjitale ndaj tatimpaguesve, si dhe rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

Në këtë konferencë për media, pjesës e të cilës ishte edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Heuran Murati, drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj njoftoj se janë inkasuar 591.4 milion euro tatime, të cilat kanë tejkaluar projeksionin për këtë vit për 34.5 milion euro, i cili në fakt ishte 556 milion euro. Veç këtyre, mediat u njoftuan se janë inkasuar 130.9 milion euro borxhe, si rezultat i trendit pozitiv të punës që është duke bërë departamenti përkatës. Z.Murtezaj tha se inpute mjaft të rëndësishme në realizimin e objektivave kyçe të institucionit,  janë reformat që janë në fusha të caktuar me interes për tatimpaguesit, siç është reforma në trajtimin e borxheve, rimbursimin e TVSh-së, ku mesatarja e kthimit rimbursimit deri në nëntor të këtij viti është ulur në 13 ditë nga 30 ditë, për sa edhe është bërë reforma në këtë aspekt.

Po ashtu, u përmend fakti se nga kontrollet e bëra tek bizneset janë vlerësuar 64.1 milion euro tatim shtesë, si dhe 2.2 milion euro nga rastet e konstatuara për shmangie tatimore.

Këtë vit platforma e deklarimit elektronik ka arritur 100% të shërbimeve digjitale ndaj tatimpaguesve, ku tatimpaguesit tani të gjitha shërbimet i kanë në dispozicion në platformën e-deklarimi, pa pasur nevojë që të frekuentojnë zyrat e ATK-së.

Ndër shumë të tjera, drejtori Murtezaj ekskluzivisht sot para mediave lansoi edhe aplikacionin elektronik për verifikimin e punëtoreve, i cili ka për qëllim ofrimin e mundësisë së shpejt dhe të thjeshtë, me pak të dhëna, për ta verifikuar vetën një punëtor nëse është i deklaruar nga punëdhënësi i tij.

Ministri Murati tha se pavarsisht sfidave që ka pasur si rezultat i pandemisë, ky vit do ta karakterizoj ATK-në si shumë të suksesshme, pasi që ka arritur që të tejkalojë planet e parapara nga Qeveria, si në planin fillestar po ashtu edhe në planin e rishikuar. Gjithashtu, ministri Murati u zotua se do të vazhdoj përkrahjen ndaj ATK-së me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve institucionale, si dhe arritjes së objektivave.

Në fund të kësaj konference drejtori Murtezaj, falënderoj Ministrin Murati për mbështetjen e ofruar në vazhdimësi për institucionin e ATK-së, si dhe falënderojë mediat për raportimin e bërë gjatë tërë vitit.