Prezantues i trajnimit për Deklarimin Elektronik ishte, z. Sami Salihu – Menaxher i Edukimit dhe Shërbimit të Tatimpaguesve, i cili fillimisht pjesëmarrësit i njoftoi për procesin në mënyrë të përgjithshme, lidhur me funksionimin e Deklarimit Elektronik (EDI), përparësitë e sistemit, lehtësirat për tatimpaguesit, regjistrimin e tatimpaguesve në EDI, deklarimin dhe pagesat përmes këtij sistemi, etj. Gjithashtu, u prezantuan edhe në detaje shembujt praktik të procesit të Deklarimit Elektronik për TVSh, Tatimit në Paga dhe Kontribute Pensionale. Pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese, si: Udhëzuesi për Deklarimin Elektronik të Pagave dhe Kontributeve Pensionale, si dhe fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin tatimor, Udhëzuesi mbi paraqitjen e Informacioneve mbi Evazionin tatimor, korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, si dhe Broshura – Regjistrohu, deklaro dhe paguaj tatimin. Po ashtu, janë shpërndarë edhe njoftimet e fundit të publikuara, si: Regjistrimi i veprimtarive ekonomike dhe deklarimi i të punësuarve, Deklarimi dhe korrigjimi i të ardhurave, në mënyrë reale, Raportimi i blerjeve mbi 500 euro, si dhe Njoftimi për ndryshimet në Legjislacionin Tatimor.